Një prej kryeveprave të letërsisë botërore është rikthyer në vëmendjen e publikut nga Christopher Nolan përmes filmit “The Odyssey”. Prodhimi po arrin rezultate të jashtëzakonshme në kinema dhe vlerësohet si një ndër ndërmarrjet më ambicioze në karrierën e regjisorit britanik.
Të lidhura
None found
Gjatë fundjavës së debutimit, filmi siguroi 264.1 milionë dollarë nga shitja globale e biletave, duke shënuar nisjen më të mirë të një filmi të Nolan. Të ardhurat vetëm në SHBA dhe Kanada arritën në 124.5 milionë dollarë, kurse shfaqjet në IMAX vendosën një rekord historik, me më shumë se 52 milionë dollarë arkëtime në mbarë botën.
Për realizimin e “The Odyssey”, Nolan punoi nga afër me IMAX dhe kërkoi krijimin e një brezi të ri kamerash. Ky është produksioni i parë i madh komercial që është xhiruar tërësisht me pajisjet e reja, ndërsa teknologjia pritet të shfrytëzohet edhe nga regjisorë të tjerë në projektet e tyre të ardhshme.
Megjithatë, kritikët kanë evidentuar se përshtatja kinematografike nuk i përmbahet në mënyrë rigoroze poemës së Homerit. Nolan ka larguar ose transformuar disa pjesë mitologjike, i ka dhënë më shumë hapësirë episodit të Kalit të Trojës dhe ka zgjedhur një përfundim të ndryshëm nga vepra origjinale. Në këtë version, vëmendja largohet nga ndërhyrja e perëndive dhe përqendrohet te trauma njerëzore, kujtesa dhe kthimi i Odiseut në Itakë.
Rezultatet e “The Odyssey” po shihen si një tjetër konfirmim i ndikimit që emri i Christopher Nolan ka në industrinë kinematografike. Sipas analistëve, regjisori tashmë përbën një markë më vete. Mijëra shikues kanë udhëtuar drejt qyteteve të ndryshme anembanë botës posaçërisht për ta ndjekur filmin në formatin IMAX 70 mm, duke e kthyer premierën në një fenomen kinematografik global.
Vëmendje të veçantë ka marrë gjithashtu muzika e filmit. Kompozitori Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, ka treguar se udhëtoi në jug të Shqipërisë gjatë kërkimeve për një identitet muzikor autentik që do t’i përshtatej botës së Homerit. Atje ai regjistroi iso-polifoninë shqiptare dhe tingujt e fyellit dyjar.
Sipas Göransson, këto elemente të traditës shqiptare u ndërthurën në kolonën zanore të “The Odyssey”, duke krijuar për filmin një atmosferë të veçantë dhe arkaike. Iso-polifonia shqiptare, e njohur nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, shoqëron disa nga çastet më të rëndësishme të filmit. Kjo shënon herën e parë që tradita muzikore shqiptare përfshihet në një produksion hollivudian të këtyre përmasave.
