Me një shumicë prej 88 votash, pa asnjë kundërshtim apo abstenim, parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi sot zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për karburantet dhe produktet e derivuara të naftës. Afati i ri është caktuar deri më 20 tetor.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të ekzekutivit, ky vendim, i cili hyn në fuqi më 21 korrik, do t’u mundësojë institucioneve një ndërhyrje të menjëhershme në rast të ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit ose lëkundjeve të forta të çmimeve në bursat globale. Objektivi kryesor është ruajtja e ekuilibrave të tregut të brendshëm dhe mbrojtja e konsumatorëve dhe e gjithë ekonomisë.
Gjatë diskutimeve që i paraprinë seancës, përfaqësuesit e grupeve parlamentare shqiptare kërkuan shqyrtimin e kësaj çështjeje në një mbledhje të ndarë. Ata ngritën shqetësime se maxhoranca po synonte të përfshinte në rendin e ditës akte të tjera ligjore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me arsimin universitar.
Pas konsultimeve të zhvilluara ndërmjet forcave politike në Kuvend, u gjet një kompromis, si rezultat i të cilit projektligjet për sistemin e arsimit të lartë nuk u përfshinë në agjendën e seancës së ditës së sotme.
