Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka sqaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social X një nga elementet qendrore të projektligjit të ri për sigurinë, të miratuar të mërkurën nga Këshilli i Ministrave i Italisë.
Të lidhura
None found
Sipas Melonit, nisma synon t’i japë fund një situate që ajo e cilëson paradoksale: mundësisë që një person i lënduar gjatë kryerjes së një vepre penale të kërkojë dëmshpërblim.
“Ju më sulmoni. Unë mbroj veten. Dhe unë duhet t’ju kompensoj? Nuk është e drejtë”, shkroi Meloni.
Ajo bëri të ditur se projektligji parashikon një parim të qartë, sipas të cilit personi që pëson dëmtime ndërsa kryen një krim nuk do të mund të kërkojë kompensim, një ndalim që shtrihet edhe te familjarët e tij.
“Kushdo që shkel ligjin nuk mund të presë të kompensohet nga ata që mbrojtën veten. Shteti është në anën e njerëzve të mirë, jo të kriminelëve”, deklaroi kryeministrja italiane.
Postimi u publikua bashkë me një fotografi të Melonit dhe mesazhin: “Mjaft me paradokset! Kushdo që kryen një krim nuk mund të kërkojë kompensim për dëmin e pësuar gjatë kryerjes së një krimi.”
