Në seancën e fundit për çështjen “Drenica 1”, në bankën e të akuzuarve u paraqitën kreu i Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe Ismet Haxha, Rrusten Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari.
Të lidhura
None found
Ata përballen me akuza për krim të organizuar dhe kanosje ndaj dy dëshmitarëve nën mbrojtje.
I pyetur nga trupi gjykues, Sami Lushtaku zgjodhi të mbrohet në heshtje. Të njëjtën qasje pati edhe i bashkakuzuari Rrustem Rukolli, në këtë proces ku së bashku me ta akuzohen edhe Ismet Haxha, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Seanca vijoi më pas me paraqitjen e mbrojtjes nga ana e Rexhep Gjotës, njofton “Betimi për Drejtësi”.
Para fillimit të kësaj faze, gjykata procedoi me administrimin e provave materiale të përfshira në dosjet 11 dhe 12.
Njëkohësisht, kërkesa e Prokurorisë Speciale për të lexuar katër deklarata dëshmitarësh u rrëzua nga gjykata, me arsyen se propozimi nuk ishte specifik dhe nuk përcaktonte datat e deklaratave të kërkuara për lexim.
Gjykata sqaroi se kjo nuk e pengon Prokurorinë që të rifuzojë një propozim të tillë në çdo hap të gjykimit. Në lidhje me këtë, prokurorja speciale u shpreh e gatshme të saktësojë datat e dëshmive të dhëna më parë nga dëshmitarët.
Gjyqtari i çështjes, Leon Perlaska, theksoi se gjykata i ka ezauruar të gjitha përpjekjet për të siguruar pjesëmarrjen e dëshmitarëve, duke nënvizuar se afro 15 seanca kanë rënë për shkak të mosprezencës së tyre. Ai shtoi se procesi nuk mund të vonohet pambarimisht.
Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak se mungonin Sami Lushtaku dhe Rrustem Rrukolli.
Aktualisht, shqyrtimi gjyqësor po zhvillohet vetëm për tri pikat e aktakuzës — 16, 17 dhe 18 — ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit, për të cilët procedura ishte ndarë më herët.
Në pjesën tjetër të aktakuzës përfshiheshin edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.
Në fillim të procesit, më 5 prill 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë hodhi poshtë kërkesat e mbrojtjes për rrëzimin e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke konstatuar se nuk kishte parashkrim të veprës dhe se mbrojtja nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme. Ky vendim u vërtetua nga Gjykata e Apelit në korrik 2018.
Po ashtu, Themelorja kishte miratuar marrëveshjen mes të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku dhe Prokurorisë për pranimin e fajit; ajo u gjobit me 3 mijë e 500 euro për veprën penale “Lehtësim i arratisjes së personit të privuar nga liria”.
Më 14 prill 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli vendimin për arratisjen e ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të tjerëve, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2014, në kohën kur Lushtaku po trajtohej shëndetësisht teksa gjendej në paraburgim për rastin “Drenica”.
Për këtë episod, gjykata e shpalli të pafajshëm Lushtakun, por e ndëshkoi me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të mëvonshme, të ndodhura më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.
Përveç tij, edhe tre gardianët që e shoqëronin — Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena — u gjobitën me nga 1 mijë euro secili.
Të gjithë të akuzuarit e tjerë, përfshirë të birin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun, si dhe Emrush Thaqin, Shemsi Hajrizin, Sami Gjokën, Nexhip Shatrin, Ismajl Dibranin, Agim Ukajn, Ismet Haxhën, Dardan Gecin, Bashkim Dervishollin, Valon Behramajn dhe Argjent Behramajn, u liruan nga akuzat.
Megjithatë, vendimi ndaj Thaqit dhe Shatrit u prish nga Apeli. Në rigjykim, të dy u shpallën sërish të pafajshëm nga gjykatësi Agim Kuçi.
Prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzën më 17 nëntor 2016, duke i vënë në ngarkim Sami Lushtakut dhe bashkëpunëtorëve disa vepra penale që lidhen me arratisjen nga QKUK, pasi kishin shkuar për mjekim për shkaqe shëndetësore, teksa vuanin dënimin për rastin “Grupi i Drenicës”.
Pika e parë e aktakuzës akuzonte Emrush Thaqin, në rolin e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, se nga data 20 maj 2014 e në vijim, me dashje shkeli detyrat e tij zyrtare për t’u mundësuar të paraburgosurve Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha të largoheshin nga objekti i Spitalit Rajonal të Prishtinës.
Sipas organit të ndjekjes, veprimet dhe mosveprimet e tij synonin përfitim personal, në formën e ngritjes në detyrë si drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke lejuar masa sigurie më të lehta, çka krijoi kushtet për arratisje.
Aktakuza përshkruan se ai nuk caktoi dy roje për çdo të pandehur, nuk siguroi praninë e oficerëve në dhomat e spitalit, nuk verifikoi kualifikimet e stafit rojë, nuk vendosi të prangosur të pandehurit dhe nuk mori masa për mjediset e sigurisë, si dhe nuk bashkëpunoi me Policinë e Kosovës.
Gjithashtu, nuk kërkoi kategorizimin e Ismet Haxhës si i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë dhe as nuk nisi procedurë disiplinore ndaj tij.
Për këtë, ai u akuzua për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 422, par. 1., 2.1., 2.2 dhe 2.3 të Kodit Penal, me dënim të parashikuar nga 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Pika e dytë përshkruante se nga nëntori 2014 deri më 22 shtator 2015, Thaqi, si drejtor i përgjithshëm i SHKK-së, nuk ushtroi kontroll mbi vartësit në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, duke bërë të mundur që i paraburgosuri Sami Lushtaku të përfitonte trajtim favorizues dhe të arratisej dy herë, më 21 gusht dhe 22 shtator 2015.
Edhe kjo cilësohej si e njëjta vepër penale, me të njëjtin dënim potencial.
Dispozitivi i tretë e ngarkonte Shemsi Hajrizin, ushtrues i detyrës së drejtorit të SHKK-së, se mes 19 dhe 22 majit 2014 refuzoi publikisht të zbatonte një vendim gjykate për transferimin e shtatë të pandehurve në Mitrovicë, duke nxitur stafin korrektues të mos e përmbushte urdhrin për Lushtakun, Jasharin dhe Haxhën.
Synimi, thuhet në aktakuzë, ishte që këta të arratiseshin dhe gjykata të detyrohej të ndryshonte vendimin.
Edhe kjo vepër cilësohej “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pika e katërt fajësonte Lushtakun, Jasharin dhe Haxhën për arratisje nga spitali në mëngjesin e 20 majit dhe mbrëmjen e 22 majit 2014, duke u fshehur në një vend të panjohur. Ata akuzoheshin për “Arratisje të personit të privuar nga liria” në bashkëkryerje, me dënim deri në 3 vjet.
Pika e pestë përfshinte Mërgim Lushtakun dhe Dardan Gecin, të cilët në të njëjtën periudhë, sipas një plani të bashkërenduar, ndihmuan Sami Lushtakun të arratisej dhe të qëndronte i fshehur deri më 22 maj. Akuza: “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, e dënueshme nga 1 deri në 8 vjet burgim.
Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, në pikën e gjashtë, akuzoheshin se si oficerë korrektues penguan transferimin e urdhëruar nga gjykata dhe nuk mbajtën vigjilencën e nevojshme, duke u mundësuar të pandehurve të largoheshin. Ata ngarkoheshin me dy vepra, me dënime nga 1 deri në 10 vjet dhe 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Pikat shtatë dhe tetë përqendroheshin te Ylber Blakaj, Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena. Sipas aktakuzës, më 21 gusht dhe 22 shtator 2015, ata e lanë të pambikëqyrur Sami Lushtakun gjatë momenteve kur ndodhej jashtë paraburgimit, duke e lënë të lirë në kundërshtim me vendimin gjyqësor që e dënonte me 12 vjet burgim. Vepra penale: “Lirim i jashtëligjshëm i personave të privuar nga liria”, me 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Në pikën e nëntë dhe të dhjetë, Sami Lushtaku akuzohej se më 21 gusht dhe 22 shtator 2015 qendroi pa përcjellje jashtë burgut, duke u arratisur dhe pa iu bindur urdhrit gjyqësor. Akuza: “Arratisje e personit të privuar nga liria”, me dënim deri në 3 vjet.
Mervete Hasani-Lushtaku, në pikën e njëmbëdhjetë, u akuzua për transportimin e Sami Lushtakut me veturë më 22 shtator 2015, duke ndihmuar arratisjen, vepër për të cilën dënimi parashihet nga 1 deri në 8 vjet heqje lirie.
Pika e dymbëdhjetë fajësonte Agim Ukajn, koordinator transporti në Dubravë, se në po të njëjtën datë keqpërdori detyrën gjatë transportit, duke mos siguruar masa adekuate dhe duke lejuar Lushtakun të qëndronte i pambikëqyrur. Vepra: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me 6 muaj deri në 5 vjet.
Ismail Dibrani, në pikën e trembëdhjetë, nga shtatori 2015 në rolin e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, akuzohej se nuk mori masa sigurie, nuk e kategorizoi si të rrezikshëm Lushtakun dhe nuk nisi procedura disiplinore pas arratisjes, për çka u ngarkua me të njëjtën vepër si më sipër.
Sipas pikës së katërmbëdhjetë, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, si mjekë në QKUK, që prej janarit 2014 kishin hartuar raporte mjekësore të rreme për të justifikuar transferimet e shpeshta spitalore të Lushtakut, duke krijuar kushte për masa më të buta dhe arratisje. Ata akuzoheshin për keqpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe lehtësim arratisjeje, me dënime që varionin nga 6 muaj deri në 8 vjet.
Pika e pesëmbëdhjetë veçonte Nexhip Shatrin, i cili si mjek i paraburgimit në Dubravë, më 23 korrik 2016, favorizoi transferimin e një të paraburgosuri në repartin spitalor në kundërshtim me rregullat, për t’i ofruar kushte më të favorshme. U akuzua për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tri pikat për të cilat vijon gjykimi — 16, 17 dhe 18 — përmbledhin thelbin e organizimit kriminal. Në pikën e 16-të, Sami Lushtaku, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota dhe Fatmir Mjaku dyshohen se nga qershori 2013 deri në prill 2015, me një plan të bashkërenduar, shtynë dëshmitarin “C” të japë deklaratë të rrejshme në gjykim, duke i ofruar punësim, së paku 40 mijë euro, një banesë dhe pagesën e trajtimit spitalor për bashkëshorten e tij. Kjo solli tërheqjen e dëshmisë së mëparshme inkriminuese të vitit 2012 dhe lirimin e disa të pandehurve.
Ata akuzohen për “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”, me dënime nga 3 deri në 5 dhe 2 deri në 10 vjet burgim.
Në pikën e 17-të, Lushtaku, Haxha, Tahiri, Jashari dhe Dibrani, nga qershori 2013 deri në shtator 2015, fillimisht kanosën e më pas i dhanë dëshmitarit “F” të paktën 109 mijë euro, për të ndryshuar dëshminë e tij inkriminuese kundër Lushtakut dhe Haxhës. Edhe këtu, pasojë ishte lirimi i tyre nga akuza. Veprat penale janë të njëjtat si në pikën e 16-të.
Pika e 18-të i konsideron Lushtakun dhe Haxhën si udhëheqës të një grupi prej së paku tetë personash, i krijuar nga qershori 2013 për të manipuluar dëshmitarët dhe për të siguruar lirimin e tyre. Për këtë, Lushtaku dhe Haxha rrezikojnë deri në 500 mijë euro gjobë dhe të paktën 10 vjet burgim për “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.
Për Rrustem Rukollin, Rexhep Xhotën, Fatmir Mjakun, Skender Tahirin, Sheremet Jasharin dhe Bajram Dibranin, e njëjta vepër parashikon gjobë deri në 250 mijë euro dhe jo më pak se 7 vjet heqje lirie.
