Qeveria e Peter Magyarit po ecën me shpejtësi drejt ndryshimeve të thella në Kushtetutën e Hungarisë, falë shumicës prej dy të tretash që zotëron në parlament. Megjithatë, përballja me rrjetin e vjetër të pushtetit ka nxitur gjithashtu debate mbi respektimin e shtetit të së drejtës.
Të lidhura
None found
Viktor Orbani kishte menduar se ishte përgatitur për mundësinë e humbjes së pushtetit. Për vite të tëra, kabineti i tij kishte vendosur besnikë në një sërë postesh vendimtare të shtetit dhe administratës hungareze, ndërsa largimi i tyre ishte kushtëzuar me votën e dy të tretave të parlamentit. Në këtë formë, Orbani synonte t’u jepte jetë të përhershme disa institucioneve. Ideja ishte që çdo qeveri pasuese të pengohej sa më shumë në punën e saj, ndërsa ai të ruante ndikimin nga prapaskena edhe pa qenë kryeministër.
Ajo që autokrati, i rrëzuar më 12 prill, nuk kishte llogaritur ishte humbja bindëse e Fidesz-it të tij, Bashkimit të Demokratëve të Rinj, si edhe fitorja historike me dy të tretat e vendeve për partinë opozitare Tisza, Respekt dhe Liri. Kryeministri i ri Peter Magyar dhe grupi i tij parlamentar po e përdorin gjerësisht këtë shumicë për të çmontuar me ritëm të lartë strukturën e ndërtuar nga Orbani. Magyari e ka pagëzuar procesin “Operacioni Purgator”.
Hapi kryesor i këtij operacioni u ndërmor të hënën, më 13.07.2026, vetëm dy muaj pasi qeveria e re mori pushtetin. Në mbrëmjen e asaj dite, parlamenti hungarez miratoi një paketë të gjerë ndryshimesh kushtetuese, të paraqitura nga Magyari dhe kabineti i tij në fund të qershorit.
Ndryshimet parashikojnë largimin nga detyra të disa figurave të rëndësishme të sistemit të Orbanit, përfshirë presidentin Tamas Sulyok dhe katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë fushatës, Peter Magyar i kishte cilësuar vazhdimisht Sulyokun, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Peter Polt dhe të tjerë si “kukulla të Orbanit”, duke premtuar se do të siguronte shkarkimin e tyre.
Njëkohësisht, paketa synon të zhbëjë disa prej cenimeve më serioze ndaj shtetit të së drejtës të urdhëruara nga Orbani. Gjykata Kushtetuese rikthen kompetencat fillestare, ndërsa pavarësia e sistemit të drejtësisë forcohet në përgjithësi. Po ashtu, reduktohet numri i ligjeve që mund të ndryshohen vetëm me shumicë prej dy të tretash. Krijohet edhe një agjenci për rikuperimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Deputetët, ndërkohë, do të mund ta ushtrojnë mandatin për jo më shumë se tri legjislatura.
Deri ku lejohet të shkohet?
Që nga ardhja e Orbanit në pushtet në vitin 2010, në Bashkimin Evropian është diskutuar fuqishëm nëse regjimet populiste dhe autokratike mund të shpërbëhen, si dhe nëse demokracia mund të rivendoset. Debati prek edhe kufijtë e veprimit: sa larg lejohet, ose duhet, të shkohet për të eliminuar padrejtësitë.
Pas dy muajsh në qeveri, është e qartë se kabineti i Peter Magyarit nuk po tregohet i përmbajtur. Ai po demonstron me shpejtësi mënyrën se si mund të veprohet, pasi, ndryshe nga qeveria e Donald Tuskut në Poloni, disponon shumicën e nevojshme parlamentare. Brenda Tisza-s, por edhe mes një pjese të madhe të shoqërisë hungareze, duket se ekziston vullneti politik për një përballje rrënjësore me regjimin e Orbanit.
Klima e krijuar ngjan me atmosferën në disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore gjatë vitit të ndryshimeve 1989. Në Hungari flitet shpesh për një “ndryshim sistemi”. Kjo shihet si e kuptueshme, pasi Orbani dhe rrethi i tij i ngushtë kishin qeverisur për 16 vjet me një vetëbesim dhe arbitraritet që, për shumë hungarezë, u bë në fund gjithnjë e më i padurueshëm. Në një kontekst të tillë, shpërbërja e thellë e shtetit të Orbanit perceptohet ndryshe nga sa do të vlerësohej në rrethana normale.
Të hënën, Peter Magyar hodhi poshtë të gjitha rezervat lidhur me amendamentet kushtetuese. Sipas tij, do të ishte “tradhti ndaj kombit hungarez po të mos e preknim Kushtetutën e tanishme”, sepse ajo përbën “dokumentin bazë të Cosa Nostra-s” – sistemit mafioz të ngritur nga Fidesz-i i Orbanit dhe Partia e vogël Popullore Kristiandemokrate, KDNP, e lidhur me të.
Gjatë dekadës e gjysmë të fundit, Orbani e kishte përshtatur Kushtetutën me nevojat e tij, deri në hollësi që, sipas shumë ekspertëve të së drejtës kushtetuese, nuk duhet të përfshihen fare në një ligj themelor.
Orbani shpall fundin e demokracisë
Fidesz-i dhe KDNP-ja bojkotuan seancën parlamentare të së hënës, duke mos marrë pjesë në votim. Prej disa ditësh, Orbani dhe figura të tjera të Fidesz-it kishin paralajmëruar se ndryshimet kushtetuese do të sillnin “fundin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Hungari”.
Thirrjes së Fidesz-it për një protestë në Budapest, të enjten e kaluar më 09.07.2026, iu bashkuan vetëm disa mijëra persona. Kjo përbën një kontrast të madh me dhjetëra deri në qindra mijëra pjesëmarrësit e mëparshëm në tubimet e Fidesz-it, të cilët shpesh detyroheshin të merrnin pjesë nga pushteti shtetëror i Orbanit.
Shpërbërja e kampit të Orbanit po vazhdon me ritme të shpejta edhe në drejtime të tjera. Pak përpara votimit të së hënës, kryetari i grupit parlamentar të Fidesz-it, Gergely Gulyas, i cili dikur konsiderohej numri tre në hierarkinë e pushtetit të Orbanit, dha dorëheqjen. Gulyas deklaroi se nuk ishte më në gjendje ta drejtonte grupin. Vetë Viktor Orbani, i cili pas humbjes dërrmuese kishte hequr dorë nga mandati i deputetit, por disa javë më parë ishte rizgjedhur kryetar i Fidesz-it, ishte rrugës për në Kampionatin Botëror të futbollit në SHBA.
Ish-kryeministri jashtë loje
Për këtë arsye, shumë vëzhgues thanë se ish-kryeministri e kishte braktisur partinë dhe mbështetësit e vet. “Viktor Orbani po e shtyn veten drejt e jashtë lojës politike”, shkroi portali Telex. Politologu Gabor Török komentoi në Facebook: “Orbani nuk duhej të udhëtonte për në Kampionatin Botëror, po të mendonte se demokracia në Hungari ka marrë fund.” Sipas Törökut, ajo që ka marrë fund në të vërtetë është më shumë miti politik i Orbanit.
Të paktën për momentin, pothuajse asnjë vëzhgues i pavarur në Hungari nuk beson se ardhja e Peter Magyarit në pushtet do të hapë rrugën për një autokraci të dytë. Megjithatë, disa juristë dhe organizata për të drejtat qytetare shprehin shqetësime për disa pika të amendamenteve kushtetuese, si edhe për shpejtësinë me të cilën ato po miratohen.
Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata për të Drejtat e Lirisë, TASZ, kundërshtojnë, për shembull, kufizimin e mandateve të deputetëve në tri legjislatura. TASZ-i ka ngritur shqetësime edhe për faktin se nuk janë ndryshuar pjesët kushtetuese kundër pakicave seksuale dhe etnike.
Kritika ndaj fushatës kundër presidentit
Opinioni publik mbetet i ndarë për fushatën e Magyarit kundër presidentit. Tamas Sulyoku nuk gëzon popullaritet dhe vetë ai kishte heshtur me këmbëngulje edhe përballë shkeljeve më të rënda të regjimit të Orbanit. Për këtë arsye, shumë vëzhgues e konsiderojnë moralisht të ligjshme kërkesën për dorëheqjen e tij. Megjithatë, Amnesty International Hungari, mes të tjerëve, paralajmëron se Magyari nuk duhet të përdorë të njëjtat metoda si Orbani, siç janë ndryshimet kushtetuese të hartuar posaçërisht kundër personave të caktuar.
Sulyoku ka tani në thelb dy rrugë: mund t’i firmosë ndryshimet kushtetuese brenda pesë ditësh dhe, me këtë veprim, të formalizojë largimin e tij nga posti. Nëse e vonon nënshkrimin, qeveria e Peter Magyarit mund të kërkojë nisjen e një procedure shkarkimi. Në atë rast, kryetarja e parlamentit, Agnes Forsthoffer, do të merrte automatikisht përkohësisht detyrën e presidentit dhe do të mund të firmoste ndryshimet kushtetuese, të cilat më pas do të hynin në fuqi.
Peter Magyar paralajmëroi se amendamentet e miratuara tani, edhe ky një premtim i fushatës, përfaqësojnë vetëm një hap të përkohshëm, por tejet të nevojshëm. Nga vjeshta pritet të nisë një debat i hollësishëm për një ligj themelor krejtësisht të ri për Hungarinë.
/DW
