Nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se administrata e tij synon të deklasifikojë materiale të inteligjencës, të cilat sipas tij dëshmojnë ndërhyrjen e Kinës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai tha se këto dokumente nxjerrin gjithashtu në pah mangësi të rënda në sistemin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Trump përsëriti akuzat e tij lidhur me procesin zgjedhor të vitit 2020, ku u mund nga Joe Biden, duke pretenduar se zgjedhjet ishin manipuluar. Ai e akuzoi Kinën për atë që e përshkroi si “hakerimin më të madh të të dhënave zgjedhore në histori”.
Sipas presidentit amerikan, materialet që pritet të publikohen tregojnë se Kina ka marrë në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të afro 220 milionë votuesve amerikanë. Mes tyre, ai përmendi emrat, adresat, numrat e telefonit, prirjet politike dhe të dhëna të tjera të ndjeshme që lidhen me regjistrimin e votuesve.
Ai deklaroi gjithashtu se Pekini kishte krijuar një strukturë të dedikuar për përdorimin e këtyre informacioneve, ndërsa përpjekjet për të ushtruar ndikim mbi zgjedhjet në SHBA, sipas tij, kishin filluar që në vitin 2018.
Në deklaratën e tij, Trump kritikoi përfaqësues të asaj që ai e quan “shteti i thellë”, si edhe komunitetin amerikan të inteligjencës. Ai i akuzoi se kishin mbajtur të fshehta informacionet për ndërhyrjen e pretenduar kineze, pa i vënë ato në dijeni as të presidentit dhe as të publikut amerikan.
Trump vlerësoi se mekanizmi aktual zgjedhor mbetet i ekspozuar ndaj cenimeve dhe kërkoi ndryshime të thella për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve. Sipas tij, votimi përmes postës është “thelbësisht i korruptuar”, ndaj ai bëri thirrje që ky proces të kufizohet pothuajse tërësisht.
Ai paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit, të planifikuara për nëntor, mund të përballen gjithashtu me rrezikun e mashtrimeve, nëse sistemi zgjedhor amerikan nuk pëson reforma rrënjësore.
