Atletico Madridi do të vendosë një tjetër shenjë të rëndësishme në historinë e klubit, pasi do të jetë skuadra me përfaqësimin më të madh të futbollistëve në finalen e Kupës së Botës 2026.
Në përballjen e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës, plot 10 lojtarë të klubit madrilen do të jenë pjesë e ndeshjes që përcakton kampionin e botës.
Të lidhura
None found
Te Spanja, Atletico do të përfaqësohet nga Marcos Llorente, Alex Baena, Marc Pubill dhe Alejandro Grimaldo. Ndërkohë, në radhët e Argjentinës do të jenë Juan Musso, Nahuel Molina, Julian Alvarez, Giuliano Simeone, Thiago Almada dhe Nico Gonzalez.
Kjo është hera e tretë rresht që Atletico arrin një rezultat të tillë. Edhe në finalet e Kupës së Botës 2018 dhe 2022, klubi kishte numrin më të lartë të lojtarëve të përfshirë në ndeshjen finale, me nga katër futbollistë në secilin edicion.
Arritjen e ka shpërndarë edhe vetë klubi në rrjetet sociale, ku shkroi: “Atlético do të jetë, për të tretin Kampionat Botëror radhazi, klubi me më së shumti lojtarë në finale. Për më tepër, do të regjistrojmë përfaqësimin më të madh të një klubi në një finale të Kupës së Botës që nga Italia e vitit 1934 dhe praninë më të madhe të një klubi spanjoll në ndeshjen për titull në gjithë historinë e turneut”.
Prania e kaq shumë futbollistëve në finalen e Kupës së Botës nënvizon peshën e Atletico Madridit në futbollin ndërkombëtar, si edhe cilësinë dhe ndikimin që ekipi i Diego Simeones ka pasur gjatë viteve të fundit.
Edhe pse kupa e së dielës do t’i takojë Spanjës ose Argjentinës, Atletico Madridi tashmë mund ta konsiderojë veten fitues, falë një përfaqësimi historik në ndeshjen më të madhe të futbollit botëror.
