Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s vazhdon të kërkojë përfshirjen e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Në analizën e saj më të fundit për gjendjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, organizata thekson se rreziqet ndaj vlerës së jashtëzakonshme universale të këtij rajoni nuk janë larguar ende.
Të lidhura
None found
Sipas UNESCO-s, zbatimi i rekomandimeve ka shënuar përparim të kufizuar. Rajoni i Ohrit vijon të jetë i ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha që lidhen me mangësitë në menaxhim, zgjerimin e pakontrolluar urban, objektet e paligjshme, ndotjen dhe shtyrjen e projekteve infrastrukturore me rëndësi. Organizata vëren se, ndonëse ekzistojnë institucione, komisione, strategji dhe plane, mekanizmi mbrojtës nuk funksionon si një sistem i unifikuar dhe nuk ka prodhuar masa të qëndrueshme për ruajtjen e zonës.
UNESCO kërkon që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të sigurojnë një menaxhim të vërtetë të përbashkët dhe ndërkufitar të Rajonit të Ohrit. Mes çështjeve kryesore që ngrihen është mungesa e një Vlerësimi Strategjik gjithëpërfshirës të Ndikimit në Mjedis, i cili do të duhej të pasqyronte efektet e grumbulluara të projekteve infrastrukturore, turistike dhe urbanistike.
Pa këtë vlerësim, sipas organizatës, nuk mund të përcaktohet saktë niveli i presionit që projektet e planifikuara ose ato që tashmë janë në zbatim ushtrojnë mbi liqenin, vijën bregdetare, habitatet natyrore dhe trashëgiminë kulturore.
Theks i posaçëm vihet te projektet e mëdha infrastrukturore, përfshirë ato të lidhura me Korridorin 8. Për to duhet të vlerësohet nëse mund të shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta apo të tërthorta në zonën e mbrojtur. Një ndër shqetësimet më të mëdha mbeten ndërtimet pa leje. Dokumenti thekson se nuk dihet qartë nëse gjatë periudhës raportuese është shembur ndonjë objekt i ngritur në mënyrë të paligjshme.
UNESCO kërkon përsëri një inventar dhe analizë të hollësishme të të gjitha ndërtimeve pa leje, si edhe vlerësimin e ndikimit të tyre në trashëgimi. Objektet që konsiderohen kërcënim duhet të largohen ose t’u reduktohen pasojat negative. Si ilustrim i vështirësive në zbatimin e ligjit përmendet sërish hoteli në Lagadin. Organizata gjithashtu konstaton mungesë përparimi për 19 planet e detajuara urbanistike, për të cilat më herët ishte vlerësuar se mund të dëmtojnë trashëgiminë botërore.
Kërkohet ndërprerja e ndryshimeve të reja urbanistike deri në përfundimin e vlerësimit të plotë strategjik, si dhe përshpejtimi i hartimit të planeve të përgjithshme urbanistike për Ohrin dhe Strugën. Shqetësim i veçantë është ngritur edhe për kompleksin “Gorica 3”, ku UNESCO kërkon ndalimin e punimeve ndërtimore deri në kryerjen e analizave të nevojshme për ndikimin ndaj zonës së mbrojtur. Ujërat e zeza dhe administrimi i mbetjeve vazhdojnë të vlerësohen si çështje serioze.
UNESCO vlerëson se rezultatet në këtë drejtim janë të kufizuara, ndërsa ndotja mbetet rrezik për ekosistemin e Liqenit të Ohrit. Projektet për rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit kolektor janë vonuar, ndërkohë që çështja e ujërave të zeza në Strugë nuk është zgjidhur ende plotësisht.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të përshpejtojnë me urgjencë projektet për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të zeza, si edhe të ndërtojnë infrastrukturë të përshtatshme rajonale për menaxhimin e mbetjeve. Organizata paralajmëron po ashtu për vonesa në garantimin e mbrojtjes ligjore të zonave të rëndësishme natyrore. Procedura për shpalljen e Liqenit të Ohrit monument natyre dhe të Kënetës së Studençishtës park natyror ka nisur që nga viti 2021, por përfundimi i saj ende nuk ka afate të përcaktuara qartë.
Projektvendimi do të dalë për votim në sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i cili zhvillohet nga 19 deri më 29 korrik në Busan të Koresë së Jugut. Komiteti ka mundësi ta miratojë, ta ndryshojë ose ta shtyjë sërish votimin për vendimin.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut kishte shfaqur më herët bindjen se Ohri do të mbajë statusin aktual. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka deklaruar se pret një rezultat pozitiv, duke kujtuar se një propozim i ngjashëm u shty në vitin 2025 pas ndërhyrjes së shteteve anëtare.(koha.mk)
