Seanca e sotme e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nuk e zhvilloi votimin për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pasi kjo çështje u shty për një moment tjetër. Vendimi nxiti reagime nga opozita shqiptare, e cila drejtoi kritika ndaj shumicës parlamentare.
Të lidhura
None found
Nënkryetarja e Kuvendit nga ZNAM, Vesna Bendevska, theksoi se pika nuk është larguar nga rendi i ditës. Sipas saj, shtyrja është bërë duke u mbështetur në nenin 170 të Rregullores së re të Kuvendit.
“Pika 8 nuk është mënjanuar nga rendi i ditës, ekziston, vetëm se në përputhje me nenin 170, i cili i jep të drejtë kryetarit ta ricaktojë ditën e votimit pas përfundimit të diskutimit. Është pjesë e rregullores së re që për herë të parë u përdor në këtë Kuvend dhe do të punojmë sipas kësaj rregulloreje”, tha Bendevska.
Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, e kritikoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për faktin se nuk ishte i pranishëm në seancë.
“Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ju vetë e keni propozuar, vetë e keni sjellë në Kuvend dhe tash nuk keni fuqi as ta kaloni. T’ju ndihmojmë ne të dalim prej salle dhe vazhdoni këtu, por a e dini ku është problemi? Është te legjitimiteti që neve na e kanë dhënë me votë”, tha Ajdari.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, akuzoi pushtetin se synon ta kalojë këtë ligj pa transparencë.
“Këto vonesa bëhen për të përdorur ndonjë formë shantazhi ndaj deputetëve, joshje ndaj deputetëve apo çka? Apo na ndjekin ku jemi e ku s’jemi me kamerat e ‘Safe City’ në mënyrë që pastaj ta kontrabandoni një ligj që është shumë i rëndësishëm për gjithë qytetarët”, deklaroi Sela.
