Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u tensionua pas debateve të forta që shpërthyen brenda saj.
Menjëherë pasi kreu i PD-së, Sali Berisha, prezantoi emrat e kandidatëve për disa pozicione drejtuese në parti, anëtarja e Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana, u përplas hapur me të.
Të lidhura
None found
Kuçana kërkoi me ngulm që të merrej në konsideratë një kërkesë e dorëzuar prej saj një ditë më parë dhe i bëri thirrje Berishës të respektonte statutin, duke i kërkuar ta lexonte dokumentin përpara se të vijonte mbledhjen.
Në përgjigje të saj, Berisha u përpoq të ndërhynte duke i kërkuar një minutë kohë, por Kuçana nuk u tërhoq. Ai më pas sqaroi se paraqitja e rezolutave ndjek një procedurë të caktuar dhe se ajo do ta kishte këtë të drejtë, por vetëm sipas rregullores së brendshme.
Teksa ajo e akuzoi se statuti ishte shkelur që në një moment të caktuar, Berisha iu rikthye duke e pyetur nëse mund t’i jepte përgjigjen e duhur. Ai theksoi se kishin komunikuar po atë ditë dhe se i kishte kthyer tashmë një përgjigje, duke ia përsëritur udhëzimin: “ndiq statutin”.
Menjëherë pas këtij shkëmbimi të ashpër fjalësh, sinjali televiziv i transmetimit të mbledhjes për mediat u ndërpre nga Partia Demokratike.
