Deputeti i Bundestagut nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Adis Ahmetoviq, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të shprehura nga ministrja serbe Snezhana Paunoviq, duke theksuar se ato bien ndesh me parimet themelore të Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë të tij, Ahmetoviq nënvizoi se megjithëse vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, kanë perspektivë të qartë evropiane, retorika nacionaliste dhe gjuha e urrejtjes janë krejtësisht të papranueshme për standardet e bllokut.
“Po, shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Kjo përfshin edhe Serbinë. Por një frymë nacionalizmi dhe urrejtjeje, që vjen nga disa qeveri, nuk ka vend në komunitetin tonë evropian të vlerave”, shkroi Ahmetoviq në reagimin e tij.
Ai paralajmëroi se pikërisht ky mentalitet po minon seriozisht ambiciet e zgjerimit të Unionit dhe po dëmton përpjekjet për të forcuar më tej bllokun evropian.
Deputeti gjerman shtoi se “ky mentalitet e torpedon procesin që BE-ja të rritet dhe të bëhet edhe më e fuqishme. Shenja e duhur nga Beogradi do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i ministres Paunoviq”.
Ky reagim erdhi si pasojë e deklaratave të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila kishte përmendur termin “spastrim etnik” në një kontekst që lidhej me Kosovën, duke shkaktuar një valë të gjerë kritikash për qëndrimet e saj.
