Policia e Shkodrës ka zgjeruar veprimet e saj gjatë sezonit veror, jo vetëm për ruajtjen e rendit publik, por edhe për mbikëqyrjen e niveleve të zhurmës. Inspektime janë zhvilluar si në zonën urbane të Shkodrës, ashtu edhe në bregdetin e Velipojës, duke ndjekur shembullin e veprimeve të ngjashme në brigjet e Durrësit dhe Vlorës.
Bazuar në një hartë të pikave me potencial të lartë për ndotje zanore, oficerët kanë ngritur ekipe inspektimi në terren. Duke u mbështetur në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, të amenduar, ata përdorën aparatura matëse për të kontrolluar nivelet e zhurmës në lokale dhe subjekte të ndryshme, qofshin këto të hapura apo të mbyllura, në Shkodër dhe Velipojë.
Të lidhura
None found
Të dhënat e grumbulluara gjatë matjeve, të kryera sipas protokolleve standarde, treguan se të gjitha vlerat ishin brenda parametrave të lejueshëm ligjorë.
Përveç matjeve të decibelëve, autoritetet përkatëse verifikuan gjithashtu respektimin e orarit zyrtar për muzikë, i cili për hapësirat e hapura dhe zonat e banuara lejohet nga ora 11:00 deri në mesnatë. Paralelisht, u zhvilluan edhe sesione ndërgjegjësuese me pronarët dhe menaxherët e bizneseve, aktivitetet e të cilëve prodhojnë zhurmë muzikore.
Forcat e rendit u bëjnë thirrje banorëve që të sinjalizojnë çdo parregullsi apo veprimtari të jashtëligjshme me të cilën përballen, duke iu siguruar atyre anonimatin dhe një reagim të shpejtë e ligjor nga ana e policisë.
