Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se përplasjet e së hënës në Kuvend ishin një inskenim që synonte të mbulohej mossuksesi i plotë i pushtetit dhe mungesa e arritjeve konkrete nga ana e Hristijan Mickoskit.
Të lidhura
None found
“Të hënën, ai provokoi një gjendje anarkie për të fshehur paaftësinë e tij. Realiteti është se Qeveria nuk ka shënuar asnjë rezultat në asnjë sferë të qeverisjes dhe tani po mundohet të ndërtojë një justifikim për zgjedhje të parakohshme. Pasi deklaroi se nuk do të kishte të tilla, tani i duhet me çdo kusht një alibi,” theksoi Filipçe.
Sipas tij, përballë dështimit në ekonomi, rritjes së çmimeve dhe rënies së standardit jetësor, Mickoski në vend që të sjellë zgjidhje, preferon të ofendojë dhe kërcënojë ligjvënësit opozitarë.
“Duke mos pasur rezultate dhe asnjë rrugëdalje, Mickoski kalon në fyerje e kanosje ndaj deputetëve në sallë. Ai i ka cilësuar qytetarët si fundërrinë e shoqërisë, brejtës, mediokritetë, molusqe, ka zgjedhur një mori epitetesh përçmuese në të kaluarën, e tani ka nisur të sulmojë verbalisht edhe deputetët. Në fakt, këto fyerje flasin më shumë për karakterin e tij sesa për këdo tjetër. Ky do të quhet profesor universitar? Ky është kryeministër, kreu i ekzekutivit?”, pyeti Filipçe.
Sa i përket kërkimfaljes së Mickoskit, lideri i LSDM-së e përshkroi atë si një vënie në skenë pa asnjë ndjenjë përgjegjësie të vërtetë.
“Ai sajoi thjesht një iluzion, ofroi një ndjesë në një sallë të boshatisur, pasi deputetët e opozitës ishin tërhequr… pra, bëri një shfaqje politike. Një ‘falje’ e turpshme dhe e detyruar. Megjithatë, kjo nuk i shlyen dot fyerjet dhe sjelljen e tij të mëparshme,” përfundoi Filipçe.
