Analisti Xhavit Drenori ka komentuar procesin e ngritjes së institucioneve të reja pas zgjedhjeve, duke kërkuar përgjegjësi nga forcat politike dhe respektim të vullnetit të shprehur nga qytetarët. Ai vlerëson se partia që ka fituar zgjedhjet duhet të marrë përsipër formimin e Qeverisë, ndërsa për Presidentin nevojitet përfshirja dhe pajtueshmëria e të gjitha subjekteve parlamentare, përcjell “Bota sot”.
Të lidhura
None found
Sipas tij, rezultati i votimit e ka shprehur qartë orientimin e qytetarëve, prandaj politika duhet të lëvizë pa humbur kohë drejt konstituimit të institucioneve, duke e vendosur interesin e përgjithshëm përpara përllogaritjeve partiake.
Reagimi i plotë
Për formimin e Qeverisë, përgjegjësia i përket partisë fituese, kurse zgjedhja e Presidentit është obligim i të gjitha subjekteve politike parlamentare.
Vota e zgjedhjeve e ka përcaktuar pa mëdyshje vullnetin e qytetarëve. Tani klasa politike duhet të sillet me përgjegjësi dhe të mundësojë sa më shpejt ngritjen e institucioneve shtetërore në përputhje me këtë vullnet.
Partia fituese mban barrën për krijimin e Qeverisë dhe ajo tashmë pohon se i ka siguruar numrat e nevojshëm për shumicën parlamentare. Për këtë arsye, nuk ka më hapësirë për vonesa apo pengesa që cenojnë funksionimin institucional dhe interesin e qytetarëve.
Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet përmes përgjegjësisë së përbashkët të të gjitha forcave politike që përfaqësohen në Parlament. Kreu i shtetit duhet të jetë figurë bashkuese, mbi interesat e partive, me integritet të lartë moral e profesional, si edhe me kredibilitet shoqëror dhe institucional.
Prandaj, Presidenti duhet të jetë një personalitet apolitik dhe konsensual, që, nëse është e mundur, të pranohet nga të gjitha subjektet politike shqiptare të përfaqësuara në Parlament. Vetëm një figurë e tillë mund të sigurojë unitet institucional, stabilitet politik dhe përfaqësim dinjitoz të shtetit.
Qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe jo kalkulime politike. Mandatet e marra nga vota e lirë duhet të kthehen në institucione funksionale dhe në vendimmarrje që i shërben vendit.
