Arbër Krasniqi ka deklaruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë se nuk ka futur në mënyrë të paligjshme vota në sistem për ish-ministren Meliza Haradinaj-Stublla. Deklarata e tij u dha të hënën, gjatë mbrojtjes në procesin gjyqësor për falsifikimin e votave në zgjedhjet e vitit 2021.
Të lidhura
None found
Në këtë çështje, përveç Krasniqit, të akuzuar janë edhe Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Sahit Mataj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në hapje të seancës, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, bëri të ditur se përbërja e trupit gjykues ka pësuar ndryshim. Gjyqtari Ngadhnjim Arrni është larguar dhe është zëvendësuar nga gjyqtari Lutfi Shala. Ismaili po ashtu njoftoi se nga seanca e fundit kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj.
Me pajtimin e të gjitha palëve, trupi gjykues vendosi që deklaratat dhe veprimet e zhvilluara më herët në këtë proces të konsiderohen të lexuara.
Duke folur për angazhimin e tij në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Krasniqi tha se kishte punuar në pozitën “data entry”, e jo si pjesë e sektorit të IT-së.
Ai mohoi se ka regjistruar vota në sistem në kundërshtim me ligjin. Sa i përket kartelës identifikuese, përkatësisht bexhit me emrin “Arigon Beka”, Krasniqi tha se këtë e kishte marrë nga zyrtarët e qendrës.
Sipas tij, përdorimi i këtij bexhi kishte ardhur për shkak të vonesave dhe pengesave procedurale për sigurimin e një kartelë të re në emrin e tij. Ai deklaroi se zyrtarët e QNR-së i kishin sugjeruar ta përdorte atë, pasi pajisja me një tjetër kartelë kërkonte procedurë të gjatë.
Krasniqi theksoi se kishte ndjekur këto udhëzime për të nisur punën si numërues, pa pritur për përmbylljen e procedurave administrative.
Për raportin me Sahit Matajn, Krasniqi deklaroi se Mataj punonte në të njëjtën sallë të QNR-së dhe se kishte qenë ai që ishte afruar fillimisht në tavolinën e tyre në mënyrë shoqërore.
Ai shpjegoi se Mataj lëvizte kohë pas kohe pranë tavolinës së tij dhe tavolinave të tjera, duke pyetur punonjësit nëse u nevojitej ndonjë gjë.
Sa i përket takimit me Jetmir Bytyqin, Krasniqi tha se Mataj e kishte ftuar për një takim në një pompë derivatesh. Sipas tij, Mataj e kishte paralajmëruar se bëhej fjalë për një rast të dyshuar të keqpërdorimit të votave.
“Sahiti më ka njoftuar që po dua me u taku me dikë, në këtë rast me Jetmirin”, u shpreh Krasniqi.
Ai tha se Mataj i kishte treguar se Bytyqi pretendonte që po i merreshin votat dhe se synimi i takimit ishte krijimi i një skenari për t’i bërë publike këto dyshime, me qëllim që të arrihej rinumërimi i votave.
Sipas Krasniqit, gjatë rrugës drejt vendit të takimit, Mataj kishte qenë vazhdimisht në komunikim telefonik me Bytyqin, duke e informuar për afrimin e tyre.
Krasniqi deklaroi se nuk e njihte më herët Jetmir Bytyqin dhe se prezantimi mes tyre ishte bërë nga Sahit Mataj, pasi ishin ulur në tavolinë.
Ai tha se Bytyqi, sapo kishte kuptuar se Krasniqi punonte në QNR, i kishte kërkuar drejtpërdrejt benefite.
“Normalisht ajo natyra e atij takimi ka qenë për atë. Ai ka kërkuar benefite”, tha Krasniqi.
I akuzuari deklaroi se gjatë bisedës ishin përmendur para, por insistoi se ai vetë nuk kishte përfituar asgjë.
“Paratë janë përmend, por a janë krijuar benefite apo nuk janë krijuar benefite për ato para që përmend? Unë nuk e di. Nga unë asnjëherë”, thotë tutje i akuzuari.
Sipas deklarimit të tij, takimi kishte zgjatur afërsisht 30 deri në 40 minuta. Pas tij, Krasniqi ishte larguar me automjetin me të cilin kishte ardhur, ndërsa Mataj kishte hipur në veturën e Bytyqit.
I pyetur për shprehjen “strukturë shumë e ndyrë”, të përdorur në deklarimet e mëparshme, Krasniqi sqaroi se me të kishte nënkuptuar skenarin me të cilin ishte përballur. Ai tha se kjo nuk kishte qenë një cilësim ndaj Matajt, por ndaj situatës së krijuar.
Sipas Krasniqit, qëllimi i organizimit nga Jetmir Bytyqi ishte publikimi i video-incizimit për të ushtruar presion që të rinumëroheshin votat, pasi Bytyqi dyshonte se votat e tij po vidheshin.
Krasniqi tha gjithashtu se nuk kishte vërejtur ndonjë parregullsi që do të favorizonte ish-ministren Meliza Haradinaj-Stublla.
“Në tavolinën ku kam qenë unë duke numëruar votat, nuk ka pasur asnjë vjedhje votash”, shtoi ai.
Pas publikimit të videos, Krasniqi deklaroi se e kishte telefonuar Matajn për ta pyetur për arsyen e këtij veprimi.
“Ti je i pastër dhe s’ke nevojë të brengosesh”, citoi Krasniqi t’i ketë thënë Mataj.
Në përfundim të dëshmisë, Krasniqi tha se e fton Matajn të tregojë të vërtetën që di, pavarësisht se cila është ajo.
Pas mbrojtjes së Krasniqit, seanca u ndërpre me kërkesë të avokatit Imer Beka, mbrojtës i Ilirjan Hysenajt. Beka e njoftoi trupin gjykues se nuk mund të vazhdonte, pasi nuk ndihej mirë me shëndet.
Më 13 nëntor 2023, Gjykata kishte ndarë procedurën penale për Granit Halilajn dhe Dardan Gashin, pasi të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Për Halilajn, më 14 nëntor 2023 u shpall aktgjykimi, me të cilin ai u dënua me 1 vit burgim me kusht për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Ndërkaq, Gashi u dënua me 12 muaj burgim me kusht, me kusht që gjatë 12 muajve të mos kryente ndonjë vepër tjetër penale. Atij iu shqiptua edhe dënim plotësues prej 12 muajsh ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike.
Procesi gjyqësor vazhdoi ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata e veçoi procedurën ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, pasi ai po gjykohej në një proces tjetër në Gjykatën Speciale në Hagë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur më 30 dhjetor 2022 aktakuzë kundër ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit. Ata akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit ishin shtuar vota për ish-ministren Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe për kandidatin për deputet Haxhi Shala.
