Prania e një burri me fytyrë të fshehur pas një maske të zezë në ceremoninë mortore të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, nxiti menjëherë aludime se ai mund të ishte Mojtaba Khamenei, emri i të cilit përmendet si pasardhësi i mundshëm në krye të vendit.
Të lidhura
None found
Gjatë funeralit, ai u pa në rreshtin e parë, teksa merrte pjesë në zhvillimin e riteve fetare. I veshur me një kapelë bejsbolli dhe me maskë të zezë që i mbulonte fytyrën, ai u bë shpejt subjekt i komenteve në rrjetet sociale, ku pamjet u shpërndanë me ritëm të lartë.
Por, sipas Iran International, personi në fjalë nuk ishte Mojtaba Khamenei. Media raportoi se bëhej fjalë për Mohammad Javad Khamenei, nipin më të madh të Ali Khameneit.

Në raport thuhet se Javad Khamenei kishte pësuar djegie të rënda në fytyrë gjatë sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite të 28 shkurtit, sulme ku mbeti i vrarë Ali Khamenei. Sipas të njëjtave raportime, edhe Mojtaba Khamenei u plagos rëndë dhe u shpërfytyrua në atë sulm.
Mohammad Javad Khamenei është djali i Mostafa Khameneit, djalit të madh të Ali Khameneit, dhe konsiderohet pjesëtar i brezit të ri të familjes së liderit iranian.
Ali Khamenei u varros të enjten, pas një ceremonie mortore që zgjati gjashtë ditë dhe që, sipas mediave shtetërore iraniane, mblodhi deri në 43 milionë pjesëmarrës në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, të shtunën Mojtaba Khamenei publikoi një mesazh në Telegram, ku premtoi hakmarrje për vrasjen e të atit, duke sinjalizuar se tensionet në rajon vijojnë të mbeten të larta.
