Sistemi bankar në Shqipëri e përmbylli vitin 2025 me një rritje të fortë të financimeve për blerjen e pronave. Huaja për pasuri të paluajtshme shkoi në rreth 4.7 miliardë euro, duke përfaqësuar rreth 52% të gjithë portofolit të kredisë.
Referuar Raportit të Mbikëqyrjes Vjetore të Sistemit Bankar për vitin 2025, pjesën më të madhe e zënë kreditë e individëve për blerje banesash, të cilat mbajnë 26.8% të totalit të kredisë në sistemin bankar.
Të lidhura
None found
Pas tyre vijnë huatë për pasuri të paluajtshme të marra nga bizneset, me një peshë prej 24.3%. Të marra së bashku, këto dy kategori përbëjnë rreth 52% të stokut të përgjithshëm të kredisë që kanë dhënë bankat.
Në terma vlerash, stoku i huasë për prona dhe pasuri të paluajtshme shkon në rreth 243.6 miliardë lekë për individët dhe 216 miliardë lekë për bizneset, duke arritur në një total prej rreth 470 miliardë lekësh, ose afërsisht 4.7 miliardë euro.
Këto shifra tregojnë se bankat kanë ndërtuar një ekspozim të madh ndaj tregut të pasurive të paluajtshme, si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve.
Banka e Shqipërisë e ka parë përshpejtimin e kredisë për pasuri të paluajtshme si një faktor që mund të sjellë rreziqe për qëndrueshmërinë financiare. Pikërisht për këtë arsye, gjatë vitit të kaluar u vendosën kufij të rinj për dy tregues kryesorë: raportin mes shumës së kredisë dhe vlerës së pronës, si edhe raportin e këstit mujor me të ardhurat e huamarrësit.
Këto rregulla kanë për qëllim të frenojnë huadhënien në nivele shumë të larta krahasuar me çmimin e pronës dhe të parandalojnë rastet kur pagesa mujore bëhet barrë e rëndë për buxhetin e familjeve.
Megjithatë, edhe pas këtyre ndërhyrjeve, kreditë për pasuri të paluajtshme për individët kanë vijuar të rriten, ndërsa ndikim në këtë ecuri ka pasur edhe procesi i rivlerësimit të pronave me ulje të detyrimeve tatimore.
