Aktivistja Luçiana Kokaj e ka quajtur të papranueshëm vendimin e qeverisë së Edi Ramës për të ndarë 4 milionë euro për koncertin e reperit të njohur Kanye West. Në një intervistë për News24, ajo tha se, ndërsa qytetarët përballen me mungesë shërbimesh shëndetësore dhe, sipas saj, infrastruktura në shkolla dhe spitale është në një gjendje skandaloze, qeveria zgjedh të shpenzojë miliona euro nga fondi rezervë për organizimin e një koncerti.
Sipas Kokajt, këto para duhet të ishin orientuar drejt nevojave më të ngutshme të qytetarëve. Ajo kërkoi gjithashtu që çështja të hetohet nga SPAK.
Të lidhura
None found
“Investimi i shtetit tek koncerti i një individi privat është i turpshëm. Ata dalin dhe denoncojnë shqiptarët që lënë “review” të këqija ndërkohë që për vete investojnë në një biznes privat. Ndërkohë që ke shqiptarë që nuk marrin ndihma mjekësore, që kanë nevojë për kurim jashtë shteti, dhe nuk ua mundëson shteti trajtimet. Shteti paska lekë për të investuar për Kanye West, por nuk ka lekë për të çuar shqiptarët për të kuruar kur ai vetë nuk ua ofron kurimin. Ka shkolla dhe spitale në gjendje skandaloze.
Kur preken rezervat e shtetit për një koncert më duket banale, ndërkohë që kur na ndodhi tërmeti nuk kishim mjaftueshëm në rezerva po hapëm GoFundme me dhe kërkuam lekë nëpër Evropë.
Ndërkohë që tani kemi lekë te fondi rezervë. Besoj se institucionet e drejtësisë do të bëjnë punën e vet.
SPAK duhet ta veprojë, të shikojë edhe “Albanian Files”, lejet që janë dhënë dhe se si janë bërë marrëveshjet. Bisedat kanë qenë në tavolinë shumë përpara ndryshimit të ligjit 21/24. Ai ligj është ndryshuar për të favorizuar miq të Ramës që SPAK duhet të hetojë”, tha ajo.
