Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Edmondo Cirielli, ku në qendër të bisedës kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet e fundit politike.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës thuhet se gjatë takimit është diskutuar për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, synimin për anëtarësim në NATO, si edhe për situatën politike në vend, përfshirë procesin e krijimit të qeverisë së re.
Në bisedime është trajtuar edhe bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, me fokus te zgjerimi i shkëmbimeve tregtare, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe avancimi i projekteve të përbashkëta.
Konjufca shprehu mirënjohje ndaj zëvendësministrit italian për mbështetjen e pandërprerë që Italia i ka ofruar Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit, duke nënvizuar se Italia vazhdon të jetë një prej partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.
Sipas MPJD-së, takimi është mbajtur në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke riafirmuar angazhimin e të dy shteteve për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
