Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa, ka kërkuar pas lindjes së fëmijës shtyrjen e seancës së sotme dhe pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë sipas raportit shëndetësor.
Avokati i të pandehurës, Gurali Brahimllari, argumentoi se Xoxa ndodhet në pamundësi për tu njohur me përmbajtjen e materialeve dhe për të komunikuar lirshëm me mbrojtësit pas lindjes me operacion.
Të lidhura
None found
Sipas Brahimllarit, vullneti i Xoxës është ai i shprehur në kërkesën drejtuar gjykatës, ndërsa gjendja e saj shëndetësore nuk i mundëson një pjesëmarrje në proces.
“Vullneti i znj. Xoxa është ai i shprehur në kërkesën drejtuar gjykatës. Ajo ka qenë në pamundësi për t’u njohur me përmbajtjen e tyre. Edhe më parë ka qenë me raport mjekësor, por ne kemi përgatitur dhe kemi punuar për kërkesat paraprake. E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj, duke bërë të ditur faktin se më 29 qershor ka kryer lindje me operacion dhe nuk mund të komunikojë lirshëm dhe privatisht me mbrojtësit, ndaj nuk mund të realizohet një mbrojtje efektive. Kërkohet shtyrja e seancës deri në përfundimin e raportit të paaftësisë për punë. Sipas Kodit të Punës, kërkohet shtyrja e procesit deri në shuarjen e kësaj problematike. Ligji garanton 63 ditë leje pas lindjes. Sa më sipër, në këtë situatë faktike, duke qenë në pamundësi për të siguruar një mbrojtje efektive, kërkohet pezullimi i procesit, bazuar në të drejtën e çdo nëne“, shprehet avokati Gurali Brahimllari.
Sipas kërkesës së depozituar në gjykatë, Xoxa argumenton se dëshiron të jetë personalisht e pranishme në proces për të garantuar një mbrojtje efektive dhe nuk autorizon avokatët që ta përfaqësojnë në mungesë.
“Kërkoj të jem personalisht e pranishme dhe nuk autorizoj mbrojtësit e mi të vijojnë mbrojtjen time pa praninë time”, ka thënë Xoxa përmes një deklarate.
Nga ana tjetër, SPAK e ka kundërshtuar kërkesën e Xoxës, duke i kërkuar GJKKO që ta ndajë çështjen e saj nga Veliaj dhe të pandehurit e tjerë. Prokurori Altin Dumani, deklaroi se janë krijuar kushtet për vijimin e procesit gjyqësor dhe se kërkesa e avokatëve të të pandehurës për pezullimin e gjykimit deri në përfundimin e lejes së lindjes nuk parashikohet nga ligji. Duke folur për kërkesën e Xoxës për të qenë e pranishme në proces, Dumani tha se ligji i referohet vetëm shtyrjes së seancës, ndërsa pezullimi i gjykimit nuk është një masë e parashikuar në këtë rast.
Altin Dumani: Ne mendojmë se janë kushtet për vijimin e procesit gjyqësor. Lidhur me kërkesën e Xoxës, ligji i referohet shtyrjes së seancës, ndërsa avokatët kanë kërkuar pezullimin e gjykimit deri në përfundimin e lejes së lindjes. Ligji nuk parashikon diçka të tillë. Por jemi në kushtet kur e pandehura shprehet se dëshiron të jetë e pranishme. Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur në shtator të vitit të kaluar dhe ajo nuk ka qenë e pranishme në asnjë seancë. Nëse gjykata e konsideron të nevojshme praninë e Xoxës, atëherë të ndahet çështja për të.
Gurali Brahimllari: Kundërshtojmë qëndrimin e Prokurorisë, pasi ligji parashikon zhvillimin e pandërprerë të gjykimit. Megjithatë, pezullimi i shqyrtimit parashikohet në raste të caktuara, si kur kryhet një ekspertim apo një vlerësim i gjendjes mendore të të pandehurit. Pra, ka raste kur pezullimi përcaktohet shprehimisht. Në kushtet kur nëna ka kryer lindje me prerje cezariane, jemi në një situatë të tillë. Përderisa ajo është me raport mjekësor, të përcaktuar nga mjeku, si çdo nënë në Republikën e Shqipërisë, kërkojmë të pranohet kërkesa për shtyrjen dhe pezullimin e procesit. Nëse gjykata vlerëson ta ndajë çështjen, kjo nuk do të ishte ekonomike.
Maksim Haxhia: Nuk është argument fakti që herë vjen e herë nuk vjen. Kjo nuk ka lidhje.
Gurali Brahimllari: Nëse gjykata vlerëson ta ndajë çështjen, le ta ndajë, por synimi ynë është garantimi i një mbrojtjeje efektive. Ajo është në bashkëpunim me bashkëshortin dhe të pandehurit e tjerë, ndaj çështja nuk mund të ndahet. Megjithatë, vendimin e ka gjykata.
