Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se një paqe e qëndrueshme në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet nëse vendet e rajonit mbeten jashtë këtij procesi.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë të bërë në Stamboll, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, Erdogan hodhi akuza ndaj qeverisë izraelite, duke thënë se ajo po mundohet të dëmtojë marrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Me këtë rast, ai e ashpërsoi edhe më tej qëndrimin e tij ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Çdo zgjidhje që nuk mbështetet nga vullneti dhe kontributi i vendeve të rajonit nuk mund të jetë e përhershme,” deklaroi Erdogan.
Ai nënvizoi se Turqia po i ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me marrëveshjet SHBA–Iran dhe akuzoi qeverinë aktuale izraelite se po nxit tensione të reja në rajon. Sipas tij, “qeveria izraelite, e varur nga lufta, nuk duhet të lejohet të zhytë rajonin në gjak dhe barut”.
Në fjalën e tij, Erdogan u ndal edhe te raportet mes Turqisë dhe Pakistanit, duke theksuar objektivin për të thelluar bashkëpunimin në sektorë si energjia, transporti, teknologjia dhe mbrojtja, si edhe për ta çuar tregtinë dypalëshe në 5 miliardë dollarë.
Në të njëjtën kohë, në Stamboll u zhvillua edhe një forum biznesi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dy vendeve. Ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar, tha se kompanitë turke janë të përgatitura të marrin pjesë në projektet e Pakistanit, sidomos në modernizimin e sektorit të energjisë dhe në transformimin e sistemit elektrik të vendit.
