Ndonëse korriku sapo ka nisur, Europa ka kaluar që tani dy episode të forta të të nxehtit, të cilat kanë vendosur rekorde dhe po shihen si një sinjal i qartë i klimës së re që po formësohet nga ndryshimet klimatike.
Të lidhura
None found
Pas temperaturave të larta të majit, qershori solli kushte edhe më përvëluese, duke rrëzuar rekorde në shumë shtete europiane. Organizata Botërore te Meteorologjise e cilësoi këtë si një ngjarje të jashtëzakonshme, ndërsa një tjetër valë të nxehti pritet të përfshijë kontinentin.
Europa po ngrohet me ritme më të shpejta se shumë pjesë të tjera të globit, çka e ekspozon gjithnjë e më shumë ndaj valëve të shpeshta dhe të forta të të nxehtit ekstrem.
Vala e qershorit u bë veçanërisht e rëndë për shkak të ndërthurjes së temperaturave shumë të larta me lagështinë e madhe, faktor që e vështirëson ftohjen natyrale të trupit përmes djersitjes. Nxehtësia mbeti e lartë edhe natën, duke mos i dhënë trupit mundësinë të rikuperohej. Në Cardiff u shënua nata më e ngrohtë e qershorit në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa pjesa më e madhe e Anglisë dhe Uellsit përjetuan të paktën një “natë tropikale”, kur temperaturat nuk zbresin nën 20 grdë Celsius, një dukuri që më parë ishte shumë e rrallë në Britani. Sipas shkencëtarëve, netët tropikale dhe valët ekstreme të të nxehtit do të shfaqen gjithnjë e më shpesh, teksa temperaturat globale vazhdojnë të rriten.
Ekspertët e Met Office theksojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore i kanë bërë këto episode më të mundshme dhe më të forta. I njëjti sistem atmosferik që solli vapën ekstreme në Mbretërinë e Bashkuar goditi edhe pjesën më të madhe të Europës. Gjermania e përshkroi këtë episod si “një valë të nxehti që do të hyjë në histori”, ndërsa Franca e quajti “historike” dhe “jashtëzakonshme”. Mbi 12 vende në Europën Perëndimore, Qendrore dhe Lindore thyen rekordet e temperaturave të qershorit, në disa raste me diferenca prej 2-3°C në krahasim me rekordet e mëparshme.
Në disa shtete, temperaturat kaluan mbi 40°C, duke vendosur rekorde të reja për çdo periudhë të vitit, edhe pse qershori zakonisht është më i freskët se korriku. Meteorologët vlerësojnë se, edhe pse këto vlera mbeten të pazakonta në raport me të dhënat historike, ato nuk janë më të papritura në kushtet e ngrohjes globale. Rritja e temperaturave globale gjatë shekullit të fundit lidhet kryesisht me emetimet e gazeve serrë nga aktiviteti njerëzor.
