Jurgen Klopp ka bërë të ditur se ka pasur bisedime me Federatën Gjermane të Futbollit lidhur me postin e përzgjedhësit të Gjermanisë, pas dorëheqjes së Julian Nagelsmann.
Të lidhura
None found
Ish-trajneri i Liverpoolit, që aktualisht ushtron detyrën e drejtorit global të futbollit te Red Bull, tregoi se është kontaktuar nga DFB-ja dhe nuk e ka mbyllur derën për një rikthim në pankinë.
Sipas Klopp, momenti nuk është plotësisht i përshtatshëm për një hap të tillë për shkak të angazhimit që ka tani, megjithatë ai nënvizoi se rrethanat janë më të favorshme se në periudhat e mëparshme.
“Po, mund të konfirmoj bisedimet. Julian dha dorëheqjen dhe DFB po punon për një plan pasuesi, ndërsa gjatë këtyre diskutimeve ata kanë kontaktuar me mua”.
“Koha, edhe tani, nuk është perfekte sepse aktualisht jam nën kontratë me Red Bullin, por gjithsesi është më e mirë sesa ka qenë ndonjëherë më parë”.
Klopp kujtoi edhe largimin e tij nga Liverpooli, duke thënë se në atë periudhë nuk kishte më energji as për një sezon tjetër, ndërsa tani ndihet plotësisht i rigjeneruar.
“Kur u largova nga Liverpooli, më mungonte energjia edhe për një vit tjetër me klubin, ndërsa tani jam më shumë se sa i rimbushur me energji”.
Ai vuri në dukje gjithashtu se i jep peshë të madhe respektimit të marrëveshjeve kontraktuale, por njëkohësisht la të hapur mundësinë për bisedime me federatën gjermane.
“Situata është e tillë që unë kam një kontratë ekzistuese me Red Bullin. Si person, zakonisht jam shumë i lumtur t’i respektoj kontratat”.
“Por gjithashtu kam thënë se jam shumë i interesuar për këto diskutime. Këto bisedime duhet të zhvillohen dhe duhet të jenë intensive, sepse sigurisht problemet që po përjetonte Gjermania nuk ishin për shkak të Julian Nagelsmann”.
Në fund, Klopp pati edhe fjalë vlerësuese për Julian Nagelsmann, duke theksuar cilësitë e tij si trajner.
“Julian Nagelsmann është një trajner i jashtëzakonshëm dhe ai do të ketë mundësinë ta dëshmojë këtë shumë herë gjatë karrierës së tij si trajner”, përfundoi Klopp./
