Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të Qendrës së re kryesore të mjekësisë familjare në Obiliq, kryetari i komunës, Halil Thaçi, tha se ky investim pritet të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për banorët.
Të lidhura
None found
Sipas tij, ky projekt ka peshë të madhe për qytetarët e komunës, ndërsa sqaroi se ndërtimi që po nis tani është vetëm faza e parë e zhvillimit të kësaj qendre dhe se më pas do të pasojnë edhe etapa të tjera.
Thaçi: Kam një emocion të veçantë sot
“E kam një emocion të veçantë për sot. Sot po e fillojmë gurthemelin e QKM-së, objekt që është shumë i rëndësishëm për qytetarët tanë. Është faza e parë dhe do të vazhdojmë edhe fazat e tjera, prandaj sot kam nderin që këtë gurthemeli ta vendosim së bashku me kryeministrin dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, u shpreh Thaçi.
Gjatë prezantimit të projektit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, foli për rëndësinë e këtij investimi dhe afatin e paraparë për përfundimin e tij.
Kurti: Projekti do të përfundojë brenda dy vjetësh
“Porsa pamë projektin, i cili na dëshmon se sa moderne do të jetë Qendra kryesore e mjekësisë familjare këtu në Kastriot. Mësuam edhe që sipërfaqja e gjithmbarshme do të jetë dy mijë e dyqind e pesëdhjetë metra katror, ndërsa punimet nga dita e sotme kur po e vendosim gurthemelin do të përfundojnë jo më larg se brenda dy viteve, pra në fillimverën e vitit 2028 është afati i fundit kur do të jetë e përmbyllur realizimi i qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Kastriot. Më shpejt se kaq – bën, më shumë nuk bën, dhe e falënderojmë operatorin ekonomik që do të punojë me dinamikë të shtuar në mënyrë që gjithçka të bëhet sa më shpejt, meqenëse tepër gjatë, për gati tri dekada, komuna e Obiliqit në Kosovën e pasluftës e ka pritur një objekt të tillë, i cili do të përbëhet edhe prej infrastrukturës moderne, por edhe prej pajisjeve të teknologjisë mjekësore që do të plotësojnë.” u shpreh Kurti.
