Ndërsa Shtetet e Bashkuara i afrohen fundjavës së festimeve të 4 Korrikut, miliona banorë në Bregun Lindor po përjetojnë temperatura rekord dhe kushte të rrezikshme atmosferike.
Të lidhura
None found
Sipas autoriteteve, kjo valë e fortë të nxehti mund të ndikojë në aktivitetet publike dhe njëkohësisht të shtojë rreziqet për shëndetin e qytetarëve.
Edhe gjatë së premtes pritet që termometri të mbetet në nivele shumë të larta, duke e kthyer këtë në periudhën më të nxehtë të vitit deri tani. Rreth 25 milionë banorë në pjesën qendrore dhe lindore të vendit preken nga ky fenomen, i shoqëruar edhe me lagështi të lartë.
Në Nju Jork, temperatura shkoi në 38 gradë Celsius, niveli më i lartë i regjistruar që prej vitit 2012. Ndërkohë, në Filadelfia u regjistruan 39 gradë Celsius, temperatura më e lartë që nga viti 2011. Për Uashingtonin parashikohet një seri ditësh me temperatura shumë të larta, një zhvillim i pazakontë për historinë meteorologjike të kryeqytetit.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i përshkroi këto kushte si “jashtëzakonisht të rrezikshme” dhe u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes, duke shmangur daljet e panevojshme nën diell.
Pavarësisht vapës, Presidenti Donald Trump pritet të mbajë një fjalim në ambient të hapur gjatë aktiviteteve të 4 Korrikut, në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara. Temperaturat e larta pritet të ndikojnë edhe te disa ndeshje të Kupës së Botës që do të zhvillohen në ambiente të hapura.
Pas kësaj vale të të nxehtit, Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se disa zona të Midwest-it dhe të rajonit të Liqeneve të Mëdha mund të përballen me stuhi të forta, me breshër, erëra të fuqishme, përmbytje të menjëhershme dhe tornado.
Temperatura të larta po regjistrohen edhe në Kanada. Në provincën e Kebekut janë lëshuar paralajmërime për vapë ekstreme, ndërsa stuhitë e fundit lanë pa energji elektrike mbi 137 mijë konsumatorë. Edhe të premten në mëngjes, më shumë se 51 mijë abonentë vijonin të ishin pa energji.
Meteorologët dhe studiuesit nënvizojnë se valët e të nxehtit po shfaqen më shpesh, po bëhen më intensive dhe zgjasin më shumë, si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
