Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, të FSK-së, partnerë ndërkombëtarë dhe familjarë të kadetëve.
Të lidhura
None found
Para nisjes së aktivitetit, presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën Kryeministrin Albin Kurti.
Kadetët me këtë ceremoni po shënojnë përmbylljen e shkollimit ushtarak dhe fillimin e rrugëtimit të tyre profesional në shërbim të vendit. Gjatë aktivitetit ishte paraparë që të mbaheshin adresime nga krerët institucionalë dhe drejtuesit e FSK-së, ndërsa kadetët të pajiseshin me diplomat dhe të bënin betimin për t’i shërbyer Republikës së Kosovës.
Në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO vazhdon të mbetet objektiv strategjik i shtetit, teksa theksoi se FSK-ja është duke ndërtuar kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike.
Ajo nënvizoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari janë themelet e lirisë së Kosovës, ndërsa oficerëve të rinj u kërkoi që detyrën ta ushtrojnë me ndershmëri, integritet dhe përgjegjësi.
“Kjo ditë u përket në radhë të parë sigurisht juve, kadetë. U përket familjeve tuaja, të cilat i falënderoj nga zemra për mundin, disiplinën dhe edukimin që ju kanë dhënë. I përket akademisë që ju ka përgatitur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi më të mëdha të jetës së tyre”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, diplomimi përmbyll një etapë të rëndësishme të formimit të tyre dhe hap një fazë të re përgjegjësie për oficerët e rinj, të cilët gjatë katër viteve kanë kaluar një proces të plotë akademik dhe ushtarak.
“Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj. Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis një përgjegjësi e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës. Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve, përmes programit të integruar akademik dhe ushtarak, keni përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht keni kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ka ngulitur disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj njerëzve që dinë të mendojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë shpejt e me integritet”, tha ajo.
Ajo shtoi se grada ushtarake nuk është thjesht një zbukurim mbi uniformë, por një barrë përgjegjësie që duhet dëshmuar me profesionalizëm dhe integritet.
“Gradat që do të mbani në supet tuaja nga sot nuk janë thjesht dekorim në uniformën tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdesin ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe atëherë kur vendimet mund të jenë të vështira”, tha ajo.
Në këtë ceremoni foli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se në mandatin e ardhshëm synohet të investohen 1 miliard euro në mbrojtje, të ndërtohet fabrika e municioneve dhe të rritet pjesëmarrja e vajzave në ushtri.
Ai vlerësoi se, krahas investimeve dhe pajisjeve moderne, baza më e rëndësishme e ushtrisë mbeten ushtarakët e përgatitur dhe të përkushtuar ndaj atdheut.
“Nga sot nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqësit e së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve keni përjetuar vështirësi, keni sfiduar veten dhe jeni detyruar të arrini rezultate. Gjatë kësaj periudhe jeni ngarkuar me vlera të larta, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta keni si oficerë të Republikës. Qeveria e Kosovës gjatë këtyre viteve mbrojtjen e ka vendosur si njërën ndër prioritetet kryesore”, tha Kurti.
Sipas tij, ngritja e një ushtrie moderne nuk arrihet vetëm përmes blerjes së pajisjeve ushtarake.
“Kjo është komponenta thelbësore e Forcës së Sigurisë. Për të pasur një ushtri të përgatitur, të trajnuar dhe të pajisur me pajisje moderne nuk është e mjaftueshme nëse ushtria jonë nuk shquhet me njerëz të devotshëm që e duan atdheun më shumë se veten”, tha ai.
Kurti paralajmëroi investime të mëdha në mbrojtje gjatë mandatit të ardhshëm.
“Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro, do t’i kemi 1 mijë vajza pjesë të ushtrisë sonë. Do ta kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do t’i kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakë më të përgatitur e më të shkolluar se asnjëherë më parë, sepse pjesë e ushtrisë sonë janë pikërisht këto vajza”, tha ai.
Në ceremoni u adresua edhe komandantja e Qendrës për Studime Universitare, majorja Mimoza Buteci, e cila u dha kadetëve mesazhe për mënyrën se si duhet ta ushtrojnë profesionin e tyre.
Ajo tha se oficerët duhet ta vendosin interesin e shtetit dhe të institucionit mbi interesat personale.
“Ju zgjodhët t’i vendosni interesat e të tjerëve, nevojat e institucionit dhe të tjerëve para nevojave dhe interesave tuaja personale. Prandaj mos harroni se detyra, nderi dhe atdheu duhet të jenë udhërrëfyesit tuaj para çdo vendimi që do ta merrni si drejtues të ushtrisë”, tha Buteci.


