Kryeministri Edi Rama reagoi pas deklaratës së avokatit Dorian Matlija, i cili bëri të ditur se do t’i bashkohet protestës qytetare në mbrojtje të mjedisit dhe kundër korrupsionit. Rama vuri në dukje se çështje të tilla duhen adresuar përmes dialogut me qeverinë dhe jo nëpërmjet përplasjeve politike.
Avokati shkruan: “Unë jam dhe do mbetem pjesë e protestës qytetare. Jam në këtë protestë për natyrën, për Vjosë-Nartën, për flamingot, për transparencën, kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit dhe arrogancës së pushtetit”.
Të lidhura
None found
Në reagimin e tij, Rama shprehet: “Hap konstruktiv në drejtimin e duhur, po dy gjëra duhet t’i kuptojë kushdo ka arritur në këtë kthesë, paçka se me pak vonesë:
1. Ky “pushteti kriminal” është në negociata me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit, pikërisht që të mbyllë negociatat pa humbur asnjë ditë kohë e pa u çfokusuar në asnjë moment nga ky mision kombëtar.
2. Sot nuk ka asnjë moment tjetër historik për të pasur parasysh, përveç rrugës së hapur të Bashkimit Europian për Shqipërinë, e cila nuk duhet lënë kurrësesi të mbyllet, ndërsa temat e “natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit” ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet:
Dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare”.
