Kryeministri Edi Rama foli për protestat që po zhvillohen në vend, pasi u pyet nëse do të bashkohej edhe vetë me to po të mos ishte në krye të qeverisë.
Në intervistën e dhënë për Deutsche Welle, ai u shpreh se, duke iu referuar fakteve dhe informacionit real, nuk do të dilte në protestë. Sipas Ramës, rrëzimi i një qeverie nuk mund të kërkohet për shkak të pakënaqësive të momentit.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se qytetarët duhet ta shprehin vullnetin e tyre përmes votës, kur të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme.
Gazetarja: Nëse Edi Rama nuk do të ishte në petkun e Kryeministrit, do të kishte dalë të protestonte për spitale më të mira, për ikjen e trurit që vazhdon prej vitesh, për një sistem, për një administratë më të mirë të cilën e akuzuat para pak ditësh, e fajësuat të themi si përgjegjëse?
Edi Rama: Nuk shoh arsye të mendoj se do të dilja aty, nëse do të mbështetesha te faktet dhe informacioni i vërtetë. Nëse, përkundrazi, do të mbështetesha te të gjitha llojet e manipulimeve, gënjeshtrave dhe amplifikimeve, atëherë pa diskutim do të isha edhe unë aty. Por faktet dhe informacioni real tregojnë diçka tjetër. Sa i përket shëndetësisë, arsimit dhe të gjitha fushave të tjera, ato kanë problemet e tyre. Këto probleme nuk u shfaqën ditën kur nisi protesta; ato kanë ekzistuar dhe janë futur në rrugën e zgjidhjes, ndërsa një pjesë e tyre është zgjidhur. Pikërisht për të vijuar përpara me zgjidhjen e tyre, ne kemi marrë mandatin e popullit shqiptar me shumicën më të madhe ndonjëherë që kur unë drejtoj Partinë Socialiste. Për këtë arsye, nuk mund të ngrihesh një ditë dhe të thuash “unë dua shëndetësi më të mirë dhe kjo qeveri duhet të ikë”. Kjo nuk funksionon. Duhet pritur deri kur të vijnë zgjedhjet e tjera.
