Këtë vit, në Lumas të Cërrikut është regjistruar një sasi e madhe prodhimi të pjeshkës dhe nektarinës, por sipas fermerëve, çmimet e ulëta të shitjes nuk po u lënë fitim. Ata theksojnë se shtimi i kostove të prodhimit, bashkë me mungesën e krahut të punës, po ua vështirëson gjithnjë e më shumë vijimin e aktivitetit bujqësor dhe nxjerrjen e të ardhurave nga puna e një viti të tërë.
Fermerët shpjegojnë se puna në pemëtore nuk ndalet gjatë gjithë vitit, ndërsa shpenzimet për plehra kimike, spërkatje dhe mirëmbajtje janë rritur ndjeshëm. Sipas tyre, përveç çmimeve të ulëta të shitjes, një tjetër problem i madh mbetet mungesa e fuqisë punëtore, pasi të rinjtë janë larguar jashtë vendit. Ata thonë se pagesa për një punëtor sezonal shkon nga 25 deri në 30 mijë lekë në ditë, një kosto që, me çmimet aktuale të tregut, nuk arrijnë ta përballojnë.
Të lidhura
None found
“Prodhim ka shumë, po s’ka çmim. 20 vite kam që merrem me këtë punë, kemi qenë në Greqi, jemi kthyer nga kurbeti dhe investuam këtu. Me 50, 40 edhe 30 lekë e kemi shitur, sipas mallit. Kemi 1 hektar, kam kajsi edhe pjeshkë. Me vite shkon edhe pjeshka, vjet s’pati prodhim, pati çmim, kemi qenë të kënaqur, këtë vit ka prodhim, po s’ka çmim. Dje na ra dhe breshëri”, thotë fermerja Dorjana Hoxha.
“1 vit që i vish vërdallë, që në janar që i bëjmë spërkatje, i krasisim, burrë e grua dhe fëmijën e torturojmë këtu. Po fuqia punëtore? S’ka, djalin marr. Pse nuk ka? Kanë ikur. Ç’do bëjnë? Pjeshka me 30 lekë. Çmimet kanë vajtur. 1 kuintal pleh, 100 mijë lekë, po si shtive një çikë pleh, kjo nuk bëhet. Sa merr një punëtor në sezonin e vjeljes? 30 kërkojnë, 25. Ne nuk na leverdis të marrim punëtorë, mundohemi vetë”, shton ajo.
Në këto kushte, fermerët kërkojnë më shumë mbështetje për bujqësinë dhe ndërhyrje që do t’u garantonin një treg më të qëndrueshëm për prodhimet e tyre.
