Edhe pse në Vlorë sezoni turistik ka nisur zyrtarisht, në plazhet e qytetit vijon të mos ketë vrojtues plazhi. Kjo mungesë ka shtuar shqetësimin te pushuesit, të cilët e shohin sigurinë në det si një nga elementët kryesorë të pushimeve.
Frekuentuesit e bregdetit në Vlorë thonë se nuk ndihen të sigurt kur futen në ujë. Sipas tyre, prania e vrojtuesve është jetike, pasi në situata emergjente ata mund të ndërhyjnë në kohë dhe të shpëtojnë jetë.
Të lidhura
None found
Një pushues u shpreh se kishte vetëm 2 ditë që kishte nisur pushimet, por theksoi se vrojtuesit duhet patjetër të jenë të pranishëm. Ai tha se në këtë zonë ka pasur mbytje çdo vit dhe se vetë pushon aty prej vitesh, ndaj e konsideron të domosdoshme praninë e tyre. Sipas tij, nuk është e qartë nëse përgjegjësia i takon shtetit, bashkisë apo privatit, por nevoja mbetet e njëjtë, sidomos për ata që nuk dinë not, për gratë dhe për fëmijët. Ai shtoi se edhe temperaturat ndikojnë, ndërsa kujtoi se aty janë mbytur njerëz për 2 vite rresht dhe, në mos gabon, edhe vjet një grua.
Një tjetër pushues tha se vrojtues duhet të ketë, por aktualisht nuk ka dhe e cilësoi gjendjen mizerabël. Ai u shpreh se vetë nuk e ka problem, por shqetësimi më i madh janë fëmijët që vijnë në plazh. Duke iu referuar situatës, ai ngriti pyetjen se çfarë turizmi është ky, teksa shtoi se këtu jeta duket se nuk vlerësohet, ndërsa në vende si Italia apo Franca humbja e një jete do të shkaktonte reagim të madh.
Në zonat publike që administrohen nga Bashkia e Vlorës, si çdo vit, është vendosur një tabelë informuese që njofton mungesën e vrojtuesve të plazhit. Nga ana tjetër, ngjarjet tragjike të ndodhura së fundmi në bregdet e kanë rikthyer edhe një herë vëmendjen te nevoja për masa konkrete që të garantohet siguria e pushuesve gjatë sezonit veror.
