Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, që vepron në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka deklaruar mbështetjen e saj të plotë për institucionet e drejtësisë lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj dyshimeve për shkelje ligjore nga disa importues të naftës.
Sipas reagimit të saj, çështjet që aktualisht po hetohen konsiderohen raste të veçanta dhe, siç thuhet, nuk pasqyrojnë punën dhe profesionalizmin e pjesës më të madhe të operatorëve të këtij sektori, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin dhe standardet në fuqi.
Të lidhura
None found
Në reagim thuhet: “Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet kompetente dhe mbështet çdo proces që forcon sundimin e ligjit, nxit konkurrencën e ndershme dhe rrit besimin e qytetarëve në tregun e naftës”.
Më tej, Shoqata thekson se çdo shkelje e mundshme duhet të trajtohet duke u mbështetur në fakte dhe se përgjegjësia duhet të jetë individuale, pa u shtrirë si përgjithësim mbi të gjithë sektorin.
Në të njëjtën kohë, një aksion i gjerë policor kundër krimit të organizuar, i drejtuar nga Prokuroria Speciale dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, me asistimin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ka çuar sot në arrestimin e 9 personave.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjatë këtij operacioni janë zhvilluar kontrolle në 21 lokacione.
Ky operacion është realizuar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore, ndërsa pas mbledhjes së informacioneve dhe sigurimit të provave, ekziston dyshimi se të arrestuarit kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumente të rreme për tatimet, si edhe duke kryer shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës.
