Pas incidenteve mes protestuesve dhe policisë në Tiranë, eurodeputetja gjermane e grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Jutta Paulus, deklaroi se çdo akt dhune është i papranueshëm.
Në një deklaratë për Politico, Paulus bëri të ditur se kishte qenë pjesë e protestës së zhvilluar të hënën, të cilën e përshkroi si tërësisht paqësore, me prani të shumtë familjesh dhe fëmijësh.
Të lidhura
None found
Lidhur me përplasjet e së martës, ku ajo nuk kishte marrë pjesë, eurodeputetja tha se nuk ishte në gjendje të jepte koment për rrethanat konkrete të ngjarjes, por përsëriti se “dhuna nuk është kurrë e pranueshme”.
Përballjet para Kuvendit shënuan një rritje të tensionit në këto protesta, të cilat për më shumë se një muaj ishin zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore.
Rreth 200 protestues u grumbulluan përpara Parlamentit në momentin kur deputetët po mbërrinin për seancën plenare. Gjatë tubimit, vezë u hodhën në drejtim të makinave të disa deputetëve, ndërsa policia ndërhyri duke shoqëruar me forcë gjashtë aktivistë.
Më pas, protestuesit u drejtuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve dhe ngritën akuza ndaj efektivëve për përdorim të tepruar të forcës.
Në krah të protestuesve janë shfaqur edhe eurodeputetet Ilaria Salis, Tineke Strik dhe Anna Strolenberg, të cilat ndodhen në Tiranë për të ndjekur nga afër zhvillimet.
