Ukraina ka finalizuar me Suedinë një kontratë për blerjen e 16 avionëve luftarakë shumëfunksionalë Gripen E, në një marrëveshje që kap vlerën e 24.6 miliardë koronave suedeze, ose rreth 2.53 miliardë dollarë.
Kompania suedeze Saab bëri të ditur se avionët do t’i dorëzohen Administratës Suedeze të Materialeve Ushtarake (FMV) gjatë periudhës 2029-2030. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshkroi këtë marrëveshje si një zhvillim me rëndësi për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit.
Të lidhura
None found
“Në bashkëpunim me Suedinë, ne vazhdojmë të forcojmë forcën ajrore të Ukrainës”, deklaroi Zelensky.
Marrëveshja nuk përfshin vetëm avionët luftarakë, por edhe pjesë këmbimi, pajisje mbështetëse si dhe materiale të tjera të domosdoshme për përdorimin e tyre.
Në fund të muajit maj, gjatë vizitës së tij në Suedi, Zelensky kishte bërë të ditur se Kievi synonte të siguronte deri në 20 avionë Gripen E. Paralelisht me këtë, qeveria suedeze mori përsipër të dhurojë 16 avionë Gripen C/D, një variant më i hershëm i këtij modeli, për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Sipas presidentit ukrainas, këta 16 avionë Gripen C/D pritet t’u dorëzohen Forcave Ajrore të Ukrainës në fillim të vitit 2027, në bazë të marrëveshjes së arritur me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.
Në tetor, dy qeveritë kishin firmosur edhe një letër qëllimi, e cila parashikon që Ukraina të blejë nga 100 deri në 150 avionë Gripen E/F në faza të ndryshme.
Ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson, tha se marrëveshja e re përfaqëson “hapin e parë” drejt synimit të Ukrainës për të ndërtuar një flotë të re me deri në 150 avionë Gripen.
“Ky është një hap i rëndësishëm për lirinë e Ukrainës dhe sigurinë e Evropës. Gripen do të forcojë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore”, u shpreh Jonson.
Në vitin 2024, Suedia kishte ndalur planin për dërgimin e avionëve Gripen në Ukrainë, pasi aleatët perëndimorë kishin zgjedhur t’i jepnin përparësi furnizimit të Kievit me avionët amerikanë F-16. Me marrëveshjen e re, programi suedez i mbështetjes ajrore për Ukrainën rikthehet sërish.
