Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se bindjet e saj nuk kanë ndryshuar me kalimin e viteve dhe se ajo nuk ka pasur asnjëherë qëndrime antiamerikane, pasi beson vazhdimisht te rëndësia e bashkimit të Perëndimit.
Në një intervistë për grupin televiziv Mediaset, ajo nënvizoi se marrëdhëniet e qëndrueshme mbështeten te ndershmëria dhe se vijon të mbajë të njëjtat pozicione që ka shprehur edhe më parë.
Të lidhura
None found
“Nuk kam mbajtur një qëndrim antiamerikan sot, nuk kam qenë e nënshtruar dje. Jam një person që beson se Perëndimi është më i fortë kur është i bashkuar”, deklaroi Meloni.
Ajo foli edhe për deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në lidhje me ngritjen e qindra avionëve nga baza e NATO-s në Sigonella të Siçilisë gjatë Operacionit “Epic Fury”.
Sipas saj, shifra e fluturimeve e përmendur nga Rutte ishte më e ulët krahasuar me vitet e kaluara dhe kishte të bënte me veprimtari të parashikuara nga marrëveshjet ekzistuese, pa natyrë agresive.
“Ato ishin fluturime që janë pjesë e aktiviteteve për të cilat është dhënë leja përkatëse. Nuk bëhet fjalë për operacione me natyrë agresive. U dha një informacion që mund të interpretohej gabim, siç ndodhi edhe nga autoritetet iraniane. Duhet të jemi më të kujdesshëm”, tha ajo.
Duke u ndalur te zhvillimet e politikës së brendshme në Itali, Meloni komentoi edhe zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës, e cila pritet të mbahet në vitin 2029.
Ajo la të kuptohet se mund të ndodhë për herë të parë thyerja e traditës së zgjedhjes së një presidenti të mbështetur nga qendra e majtë.
“Nuk është e pamundur që edhe kjo tabu e madhe të kapërcehet, pra të zgjidhet një President i Republikës që nuk do të jetë i qendrës së majtë”, deklaroi kryeministrja italiane.
