Pas një periudhe me temperatura shumë të larta, Italia po përballet tani me kushte atmosferike të paqëndrueshme, pasi stuhi të fuqishme kanë përfshirë disa pjesë të vendit, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
Në Alto Adige, reshjet e dendura krijuan vështirësi të shumta. Në disa zona u regjistruan afro 50 milimetra shi në vetëm një orë. Si pasojë, disa banorë u detyruan të lënë banesat, ndërsa në zonën e Meranos zjarrfikësit shpëtuan një person që kishte mbetur i izoluar në një garazh, pasi një lumë doli nga shtrati.
Të lidhura
None found
Edhe Milano është vënë nën paralajmërim për përmbytje, në një kohë kur vala e fundit e të nxehtit ka filluar të zbehet dalëngadalë.
Pavarësisht kësaj, temperaturat vijojnë të mbeten të larta. Në disa pjesë të Italisë pritet që ato të ngjiten në 37-38 gradë Celsius, ndërsa në Luginën e Lumit Po dhe në zonat e brendshme të Sardenjës mund t’i afrohen sërish 40 gradëve.
Sipas meteorologëve, nga mesi i javës priten stuhi edhe më të forta, përpara se temperaturat të ngjiten sërish mbi mesataren e kësaj periudhe.
