Irani pret që miliarda dollarë nga asetet e tij të ngrira të zhbllokohen pas memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara, i cili përfshin lehtësimin e sanksioneve në sektorët e naftës dhe petrokimisë, sipas deklarimeve të Presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
Mediat shtetërore iraniane raportojnë se Pezeshkian ka bërë të ditur se Teheranit pritet t’i kthehen rreth 6 miliardë dollarë nga 12 miliardë dollarët e fondeve iraniane të bllokuara në Katar.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën kohë, burime të cituara nga Reuters thonë se delegacionet teknike të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara pritet të takohen në Doha gjatë ditëve të ardhshme, ku do të trajtohen zbatimi i marrëveshjes dhe përpjekjet për uljen e tensioneve.
Po sipas këtyre burimeve, mes palëve janë hapur edhe linja komunikimi për të parandaluar incidente të mundshme, ndërsa pritet që përkohësisht të pezullohen sulmet dhe të sigurohet lundrimi i lirë i anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Brenda këtij zhvillimi, Irani dhe Omani kanë mbajtur në Muscat mbledhjen e parë të komitetit të përbashkët për administrimin e ngushticës, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë çështjet e sovranitetit dhe mënyra e menaxhimit të ardhshëm të kësaj rruge të rëndësishme detare.
Pavarësisht këtyre lëvizjeve, situata vijon të jetë komplekse, pasi shtetet e Gjirit kundërshtojnë çdo mundësi që do të sillte tarifa ose kufizime për lundrimin ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet një nga korridoret kyçe të tregtisë botërore të naftës.
