Me ftesë të Presidentit të Republikës së Polonisë, Karol Nawrocki, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të 70-vjetorit të Kryengritjes së Poznańit të vitit 1956, e konsideruar si një prej episodeve më të rëndësishme të qëndresës ndaj regjimit komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Gjatë kësaj ceremonie, krerët e shteteve të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët, me të cilën ritheksuan angazhimin për ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së kombeve për vetëvendosje.
Të lidhura
None found
Në kuadër të aktivitetit, Presidenti Begaj zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me homologun e tij polak, Karol Nawrocki.
Gjatë bisedës, Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Polonia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të vendit tonë. Ai vuri në dukje rolin udhëheqës të Polonisë në Bashkimin Evropian, si edhe përkushtimin e saj të vazhdueshëm për t’u kujtuar vendeve anëtare se integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri gjeopolitike për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të plotë.
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu ndihmën konkrete të dhënë nga Polonia për institucionet shqiptare përmes shkëmbimit të ekspertizës në procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, përvoja e suksesshme polake në transformimin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe përmbushjen e standardeve evropiane mbetet një model frymëzues për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Polonisë do të vijojnë të thellohen më tej, si në planin politik, ashtu edhe në bashkëpunimin dypalësh, në të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Nga ana e tij, Presidenti Nawrocki rikonfirmoi mbështetjen e Polonisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të avancimit të procesit të integrimit evropian dhe forcimit të partneritetit mes dy vendeve.
