Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka ngritur dyshime për ekzistencën e një varri masiv në Pasuljanske Livade, në Serbi.
Në një postim në “X”, ajo ka bërë të ditur se për këtë çështje kishte folur që në vitin 2008 gjatë një takimi me ministrin e atëhershëm serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovaq.
Të lidhura
None found
Kandiq ka shkruar: “Varri masiv i mundshëm në Pasuljanske Livade ishte temë e takimit tim me ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Dragan Shutanovac, në vitin 2008. E njoftova se kisha biseduar me një person që pretendonte se kishte qenë shoferi i kamionit frigoriferik me të cilin trupat ishin transportuar nga Kosova në bazën ushtarake Pasuljanske Livade”.
Sipas saj, personi me të cilin kishte biseduar kishte pretenduar se ishte shoferi i kamionit me të cilin trupat e viktimave ishin dërguar nga Kosova në bazën ushtarake “Pasuljanske Livade”.
Ajo ka thënë se ky person kishte kërkuar para për të dhënë informacione të tjera, por më pas nuk ishte paraqitur më.
Kandiq ka shtuar se menjëherë pasi e kishte marrë këtë informacion, e kishte njoftuar ministrin Shutanovaq, por edhe ai nuk i ishte përgjigjur më pas.
Pasuljanske Livade konsiderohet si vendi ku janë trajnuar terroristët serbë që morën pjesë në sulmin e Banjskës. Kjo zonë është një prej bazave kryesore të ushtrisë serbe.
