Nxehtësia e verës dhe rrezet ultravjollcë nuk përbëjnë rrezik vetëm për njerëzit, por ndikojnë edhe te automjetet, sidomos te gomat, të cilat mund të pësojnë dëmtime nga temperaturat ekstreme.
Kur qëndrojnë për një kohë të gjatë nën diell dhe në temperatura të larta, gomat plaken më shpejt se zakonisht.
Të lidhura
None found
Si pasojë, materiali i tyre fillon të thahet, humbet elasticitetin dhe në sipërfaqe ose në anët e gomës mund të shfaqen çarje të vogla. Dëmtime të tilla rrisin mundësinë e shpërthimit të gomës ose të humbjes së presionit gjatë vozitjes.
Sipas ekspertëve, në ditët me vapë automjetet duhet të parkohen sa herë të jetë e mundur në vende me hije, në mënyrë që gomat të mos ekspozohen drejtpërdrejt ndaj diellit. Nëse kjo nuk është e mundur, mund të përdoren mbulesa mbrojtëse.
Po ashtu, një hap i domosdoshëm është kontrolli i vazhdueshëm i presionit të gomave. Kur presioni është më i ulët ose më i lartë se sa duhet, gomat konsumohen më shpejt dhe mund të paraqesin rrezik për sigurinë, veçanërisht në udhëtime të gjata gjatë temperaturave të larta.
Rekomandohet edhe inspektimi i gjendjes së tyre për shenja të “plakjes së thatë”, si deformime, çarje të imëta apo ndryshime në sipërfaqe. Këto tregues mund të nënkuptojnë se goma nuk është më në gjendjen më të mirë për përdorim.
Temperaturat e larta, asfalti i nxehtë dhe lëvizja me shpejtësi të madhe krijojnë presion shtesë mbi gomat, ndaj kujdesi dhe mirëmbajtja e tyre mbeten thelbësore për sigurinë rrugore gjatë stinës së verës.
