Më 26 qershor, gazeta “Bota Sot” feston 31 vjet nga themelimi i saj, duke vulosur më shumë se tri dekada përkushtim ndaj informimit të saktë, fjalës së lirë dhe çështjes kombëtare.
E krijuar në Cyrih më 26 qershor 1995, në periudhën kur Kosova ndodhej nën regjimin serb dhe liria e shprehjes ishte e kufizuar, “Bota Sot” u kthye shpejt në një tribunë të fuqishme informative dhe në zërin e diasporës shqiptare, duke ndërtuar një lidhje të qëndrueshme mes mërgatës dhe vendlindjes.
Të lidhura
None found
Në vitet më të rënda për Kosovën, kur informacioni i besueshëm ishte jetik, kjo gazetë pati rol të rëndësishëm në pasqyrimin e zhvillimeve politike, shoqërore dhe kombëtare, duke informuar qindra mijëra shqiptarë në Evropë, Amerikë dhe më gjerë.
Përmes raportimit të saj, “Bota Sot” ndihmoi në sensibilizimin e opinionit vendas dhe ndërkombëtar për atë që po ndodhte në Kosovë, ndërsa në të njëjtën kohë forcoi lidhjet e diasporës me atdheun.
Gjatë këtyre 31 viteve, “Bota Sot” është kthyer në një pikë të rëndësishme referimi për shqiptarët kudo që jetojnë, duke promovuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, si edhe duke mbajtur gjallë frymën e solidaritetit dhe angazhimit kombëtar.
Shala: Me padurim është pritur shpërndarja e saj këtu në New York, duke organizuar pika shpërndarëse për lexuesit e saj besnikë
Me rastin e përvjetorit të themelimit të “Bota Sot” dhe ndikimit që ajo ka pasur ndër vite në mërgatën shqiptare, foli publicisti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hafiz Shala.
Ai vlerësoi lart gazetën kombëtare “Bota Sot”, duke theksuar saktësinë, përmbajtjen dhe përkushtimin e saj ndaj çështjeve kombëtare, diasporës dhe lexuesit.
“Mbi tri dekada veprimtari brilante informative të gazetës kombëtare “Bota Sot”, e cila fitoi besimin dhe ndjenjat e lexuesve në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në diasporë.
Gazeta kombëtare “Bota Sot” lirisht mund të renditet në mesin e gazetave më prestigjioze botërore, sepse ishte e saktë, e vërtetë, e dedikuar për lexuesit pasionantë të së vërtetës dhe afirmimit të temave me përmbajtje të interesit të përgjithshëm, me theks të atyre me interes gjithëkombëtar”.
Në bashkëbisedimin e tij me “Bota Sot”, Shala rikujtoi edhe periudhën kur ishte shumë e vështirë të thuhej e vërteta dhe të shprehej fjala e lirë, për shkak të politikave dhe rrymave të ndryshme.
Ai nënvizoi se pronari, stafi dhe gazetarët e këtij mediumi qëndruan të palëkundur në mbrojtje të parimeve dhe së vërtetës, ndonëse fatkeqësisht ndër vite pati edhe gazetarë të vrarë.
“Edhe atëherë kur fjala e lirë tentohej të kontrollohej, të imponoheshin politika të klaneve dhe rrymave të ndryshme, “Bota Sot” e kishte programin e interesit nacional dhe i zbrapste të gjitha, duke vazhduar me plotësimin e kërkesave të opinionit të gjerë.
Për këtë, pronari, stafi dhe gazetarët e këtij mediumi, siç do ta quaja unë, New York Times-i i Republikës së Dardanisë, duke u qëndruar stoikë parimeve dhe fjalës së dhënë lexuesve, disa gazetarë u shndërruan në martirë e heronj…
Asnjëherë nuk duhet harruar gazetarët e vrarë, si: Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti etj.”
Publicisti nga SHBA theksoi se “Bota Sot” është gazetë kombëtare, sepse pavarësisht presioneve, sulmeve dhe atentateve, nuk i zhgënjeu asnjëherë lexuesit dhe vijoi të sjellë informim të drejtë dhe të saktë.
Ai kujtoi gjithashtu periudhën kur në New York pritej me shumë padurim shpërndarja e gazetës dhe organizoheshin pika të posaçme për lexuesit besnikë të saj.
“Ishte gazetë me të vërtetë kombëtare, sepse me një informim të drejtë dhe në kohë…Zhvilloi veprimtarinë informative nën përcjelljen e organeve të sigurimit… përmes një sulmi me shishe vere të mbushur me eksploziv… Autori i dyshuar u dënua me 11 vjet burg…”
Guximi dhe profesionalizmi, sipas tij, ishin virtyte të pandara të saj, ndaj edhe u bë gazeta më e preferuar për informata të sakta, të vërteta dhe të drejtpërdrejta nga atdheu dhe bota. Me kënaqësi dhe padurim është pritur shpërndarja e saj në New York, duke organizuar pika shpërndarëse për lexuesit e saj besnikë.
Në përmbyllje, ai përgëzoi botuesin z. Xhevdet Mazrekaj, stafin dhe bashkëpunëtorët.
“Me këtë rast, dëshiroj të përgëzoj botuesin, stafin redaktues dhe gazetarët…”
“Gazeta “Bota Sot” do të jetojë për sa kohë të ketë diell e hënë, ujë dhe ajër”, përfundoi Hafiz Shala.
Qarri: ‘Bota Sot’, zëri i diasporës dhe tribunë e së vërtetës në kohët më të vështira për Kosovën
Edhe analisti nga diaspora, Gani Qarri, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të gazetës “Bota Sot”, vlerësoi lart rolin e saj historik, duke e cilësuar si një nga mediat që në periudhat më të vështira për Kosovën dhe shqiptarët mbrojti fjalën e lirë dhe informimin e drejtë.
Sipas Qarrit, “Bota Sot” ishte shumë më tepër sesa një gazetë, pasi u bë tribunë e së vërtetës dhe një zë i fuqishëm i diasporës shqiptare.
“”Bota sot” apo gazeta kombëtare e themeluar para 31 vitesh, vijon të çmohet edhe sot për guximin në plasimin e fjalës së lirë dhe vlerësohet lartë për shprehjen e të vërtetës, e cila edhe në periudhat më të vështira dhe vendimtare për popullin shqiptar, ka luajtur rol të pazëvendësueshëm për informimin real e të paanshëm të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar, veçanërisht në vitet më të rënda të luftës, kur Kosova përballej me okupimin klasik nga Serbia fashiste dhe regjimi okupator serb, i cili kishte mbyllur Universitetin, shkollat fillore e të mesme dhe të gjitha mediat në gjuhën shqipe.
Ndaj me rastin e përvjetorit të themelimit të kombëtares “Bota sot”, në kohë dhe vitet më të vështira për vendin, e sidomos për mërgimtarët kudo në botë, ajo përmes raportimit të shpejt, real dhe të paanshëm të ngjarjeve politike, shoqërore e kombëtare u shndërrua në zërin më të fuqishëm të informimit mbarëkombëtar, duke kontribuar fuqishëm në fjalën e lirë ,formësimin e mendimit publik, forcimin e vetëdijes kombëtare dhe ruajtjen e lidhjeve të shqiptarëve me vendin e tyre, kohë kur ajo u shndërrua pothuajse në medium institucional informativ dhe një nga dritaret e vetme të periudhës më të errët informative në Kosovë, përmes së cilës shqiptarët kishin mundësi të mësonin realitetin dhe të informoheshin për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit edhe në vitet e luftës në Kosovë.
Duke folur për rrugëtimin 31-vjeçar të gazetës, Qarri veçoi rolin pionier të “Bota Sot” në gazetarinë shqiptare, si dhe sfidat e shumta me të cilat është përballur ndër vite.
Ai theksoi se çmimi i qëndrimit të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës ka qenë i lartë, por kjo nuk e ka ndalur gazetën të mbetet një nga zërat më të besueshëm të informimit në hapësirën shqiptare.
“Kombëtarja “Bota Sot”, është e përditshmja e parë e pavarur informative në gjuhën shqipe, që doli në diasporë dhe një ndër emrat më të njohur të gazetarisë shqiptare, që nisi një standard të ri të informimit me publikimin e lajmeve të vërteta e autentike, ashtu siç ndodhnin në teren, duke shkaktuar pezmatimin më të madh të kriminelëve të cilët, veçanërisht pas lufte ishin mësuar të ledhatoheshin, të trajtoheshin si heronj dhe përshkruheshin si engjëj nga mediat tjera puthadorë, gjë që kombëtares “Bota Sot” i kushtoi shumë, e pagoi me humbjen e jetës së disa bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve më të shquar të saj, vrasësit e të cilëve sot e atëherë nuk janë zbuluar asnjëherë, nga drejtësia e kalbur, e kapur dhe e amortizuar tërësisht e Kosovës, madje Editori Mazrekaj dhe familja e tij, përjetoi edhe një atentat me bombë të kurdisur, që e paketuar në formë “dhurate”, u ishte dërguar përmes postës në shtëpi.
“Bota sot”, lindi furishëm për të vijuar pandalshëm, përkundër shumë përpjekjeve e peripecive atëherë e sot, si një gazetë shumë dimensionale dhe me një platformë të veçantë mediatike, shumë më ndryshe nga mediat tjera, duke mbetur e përditshme informative-shembull dhe e pa-konkurrencë që nga publikimi i parë, e cila këto ditë feston me krenari edhe përvjetorin e saj të 31-të, një rrugëtim ky i gjatë e shumë i vështirë, por i suksesshëm e afirmativ, i një medium shembull informativ, që ka arritur të ndikojë shumë dhe avancojë dukshëm edhe në zhvillimin e mendimit të lirë e pa frikë, informimit të drejtë e të pavarur dhe mbajtjen gjallë e forcimin e ndjesisë kombëtare te të gjithë shqiptarët në diasporë, Kosovë dhe kudo jetojnë bashkëkombësit në trojet tona etnike”.
Po ashtu, analisti nënvizoi se “Bota Sot” ka qenë një e përditshme kombëtare me rol të veçantë në diasporë, e cila pavarësisht sfidave dhe presioneve të shumta, ka mbetur simbol i fortë i informimit të lirë dhe i identitetit kombëtar shqiptar.
Sipas tij, gazeta ka ndihmuar në informimin e drejtë, edukimin atdhetar dhe forcimin e lidhjes së diasporës me atdheun.
“E përditshme kombëtare që shquhej për veprimtarinë shumëdimensionale informative me të cilën kemi pirë kafen e mëngjesit dhe kaluar ditën, deri në mbrëmje të vonë, nën shoqërimin e saj, mediumi Pinjoll dhe simboli më i fortë, i autoktonisë shqiptare në mërgim e diasporë që jo vetëm ka funksionuar suksesshëm dhe pareshtur, por përkundër presioneve të papara, pengesave të mëdha e kërcënimeve të panumërta, ka funksionuar pandalshëm, mbijetuar dhe edituar me sukses impresionues edhe në vitet më të vështira të kohës së okupimit klasik të Kosovës nga Serbia fashiste.
“Bota Sot” iu përkushtua me tërë qenien e saj edituese, informimit të drejtë të opinionit të brendshëm e të jashtëm, edukimit atdhetar të gjeneratave të reja, rritjes së patriotizmit te shqiptarët brenda e jashtë vendit, forcimit të shpresës së tyre për ditë më të mira dhe lirinë që gëzojmë të gjithë ne, përfshi gjeneratat e reja të fëmijëve mërgimtar, të cilët sot përbëjnë një armatë të tërë dhe të madhe intelektualësh, ekonomistësh në zë, juristësh e veprimtarësh tjerë të zot, të profileve nga më të ndryshmet në diasporë, duke ngritur lart idealin e shenjt të lirisë, me të cilin, kanë shumë të përbashkëta, përjetime pothuajse të njëjta, qëndrim të fortë e të pathyeshëm dhe bashkëudhëtim pothuajse të njëkahshëm e po aq bujshëm, deri në pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe jetës në liri, të kësaj pjese të etnisë tonë kombëtare dhe trevës më atdhetare në tërësinë e gjeografisë mbarëshqiptare”, deklaroi ai pwr “Bota sot”.
Më tej, Qarri tha se “Bota Sot” ka ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe forcimin e shpirtit patriotik te shqiptarët, duke rritur gatishmërinë e mërgatës për t’iu bashkuar përpjekjeve për liri dhe çlirimin e Kosovës. Në kohën e okupimit, sipas tij, gazeta u bë një dritare e rëndësishme informative dhe një mbështetje e fuqishme për kauzën e lirisë së shqiptarëve.
“Kombëtare që” ngriti e forcoi edhe vrullin e veprimtarisë dhe ndikoi në rritjen e ndërgjegjes kombëtare, forcoi e kaliti shpirtërisht vendosmërinë patriotike të shqiptarëve si dhe përshpejtoi gatishmërinë e bashkëatdhetarve kudo, e veçanërisht të atyre në mërgim, për t`iu bashkuar luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe çlirimin përfundimtar të vendit nga kthetrat e okupimit klasik të Serbisë fashiste që atëbotë udhëhiqej nga kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq me ministër të informimit presidentin aktual serb, kriminelin Aleksandër Vuçiq, të cilët në fund të shekullit XX mbyllën Universitetin e Kosovës, të gjitha shkollat fillore e të mesme dhe mediat në gjuhën shqipe.
Kohë, kur kombëtares “Bota Sot” edhe pse me botim jashtë vendit, i ra barra më e madhe për informimin publik, e cila hapi një dritare drite, edhe për shqiptarët në Kosovë, duke u shndërruar në krah informativ të luftës dhe shtytëse e organizimit të kryengritjes kombëtare për liri dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga okupimi i Serbisë fashiste”, shtjelloi Qarri.
Mes tjerash, ai shtoi se “Bota Sot” u themelua në kohën e terrorit dhe izolimit informativ në Kosovë, duke u bërë një zë i rëndësishëm i rezistencës shqiptare dhe një platformë e fuqishme informimi për çështjen kombëtare në diasporë.
Sipas tij, edhe pas luftës gazeta ka vijuar të mbetet një medium i përkushtuar ndaj së vërtetës, me raportim të shpejtë dhe hulumtues për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit.
“E themeluar në ditët më të rënda të terrorit serb dhe territ të plotë informativ, që Serbia fashiste kishte futur me dhunë në Kosovë, kombëtarja “Bota Sot” duke mbajtur lidhje të përhershme me udhëheqjen e atëhershme shtetërore të kryesuar nga Dr. Ibrahim Rugova, pothuajse u shndërrua në platformë zyrtare të informimit institucional jashtë vendit, dhe ent për fuqizimin e rezistencës shqiptare në Kosovë!
Kombëtarja “Bota Sot” përmes përpjekjeve të fuqishme për ruajtjen dhe avancimin e çështjes kombëtare, ofronte informim të shpejt e real dhe të pandalshëm hulumtues e investitagiv për luftën dhe zhvillimet në vend, përkundër pengesave e sfidave të panumërta, në periudhat më të vështira të luftës dhe përpjekjeve mbinjerëzore të popullit shqiptar në Kosovë për jetësimin e lirisë, me çka i shkaktonte një nga goditjet më të mëdha të kohës regjimit okupator serb dhe Serbisë fashiste të prirë nga kryekrimineli Sllobodan Milosheviq.
Gazetë e cila vijoi përpjekjet e pareshtura të saj në shërbim të çështjes së kombit dhe shtetit të Kosovës edhe pas çlirimit të atdheut duke mbetur gjithmonë zë i fuqishëm i informimit, pinjoll i pathyeshëm dhe organ mediatik i palëkundur i përçimit të fjalës së lirë, si gazetë e përshkrimit real të ngjarjeve dhe shembull e investigimit permanente të zhvillimeve reale, brenda dhe jashtë vendit, deri në ditët e sotme”, potencoi analisti.
Në fund, ai ritheksoi se gjatë viteve të luftës në Kosovë, “Bota Sot” ishte një nga burimet kryesore të informimit për shqiptarët në diasporë, duke shërbyer si urë lidhëse mes mërgatës dhe atdheut, pavarësisht sfidave, presioneve dhe sulmeve të shumta me të cilat u përball.
Ai tha se edhe në periudhën e pasluftës, gazeta ka vazhduar të kontribuojë në informimin e opinionit publik dhe në pasqyrimin e zhvillimeve me qasje kritike, duke ruajtur besueshmëri dhe ndikim të lartë në hapësirën mediatike shqiptare.
“Gazetë mbarëkombëtare që në vitet e luftës në Kosovë, ishte burimi pothuajse i vetëm dhe kryesor autokton i informimit për shqiptarët jashtë vendit, e cila megjithëse kontribuoi aq shumë dhe u shndërrua në urë lidhëse ndërmjet mërgimtarëve shqiptar dhe Kosovës, hasi në vështirësi e pengesa të panumërta, derisa u shndërrua edhe në cak të sulmeve kriminale deri te ai terrorist, nga ata që donin ta mbysnin të vërtetën dhe vrisnin lirinë e fjalës.
Por përkundër të gjitha vështirësive, kombëtarja “Bota sot” përveç informimit të publikut dhe sensibilizimit të opinionit vendas e ndërkombëtar gjatë periudhës së luftës, ajo mbajti një qëndrim kritik ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, devijimeve politike dhe mungesës së ligjshmërisë ee të drejtësisë së paqenë, edhe në vitet e pasluftës, kështu që roli dhe kontributi madhor i saj ka ndikuar dukshëm, veçanërisht me sjelljen e këndvështrimeve të ndryshme në gazetë, me të cilat ajo ka ndihmuar shumë lexuesin shqiptar të krijoj një botëkuptim më të thelluar dhe më të gjerë mbi vërtetësinë e ngjarjeve, risitë dhe zhvillimet e përditshme politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, etj, dhe vijon të luaj rol kyç në informimin publik me reflektim real, cilësi në punë dhe informim të paanshëm mbi ato që ndodhin edhe aktualisht në vend dhe botë, duke mbetur një nga mediat me besueshmëri të lartë të informimit publik, kudo në trojet tona, pa dallim”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.
