Familjarët e pjesëtarëve të trupës diplomatike të Kosovës në Austri do të mund të punojnë gjatë qëndrimit të tyre në vendin pritës, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Sipas MPJD-së, marrëveshja e saponënshkruar përcakton të drejtën e anëtarëve të familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor që të angazhohen në veprimtari fitimprurëse gjatë periudhës së shërbimit jashtë vendit, duke ofruar kushte më të mira për diplomatët e të dy shteteve.
Të lidhura
None found
Dokumenti është nënshkruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Nikolaus Marschik.
MPJD ka bërë të ditur po ashtu se, pas ceremonisë së nënshkrimit, është mbajtur edhe një takim bilateral, gjatë të cilit është biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik e institucional, si edhe zhvillimet politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
