Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar për aksidentin tragjik të ndodhur më 14 qershor në Autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, ku një qytetare humbi jetën, duke bërë të ditur se raporti zyrtar i Policisë së Kosovës ka sqaruar rrethanat e rastit.
Fillimisht, Basha u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimës, ndërsa më pas ka komentuar pretendimet publike që janë bërë për shkaqet e aksidentit.
Të lidhura
None found
“Të dashur qytetarë, aksidenti tragjik i 14 qershorit në Autoudhën ‘Dr. Ibrahim Rugova’, ku humbi jetën një qytetare, na preku thellë të gjithëve. Edhe një herë, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të afërmit e saj”, ka shkruar Basha.
Ai ka theksuar se, sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin nga ana e drejtuesit.
“Sot, Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore”, ka deklaruar ai.
Sipas Bashës, në përfundimet e raportit thuhet se rruga nuk ka pasur ndikim në shkaktimin e aksidentit dhe se qarkullimi ka qenë i lirë.
“Raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit. Këto janë gjetje zyrtare të organeve kompetente”, ka shtuar ai.
Basha ka kritikuar gjithashtu deklaratat publike që, sipas tij, janë përpjekur ta përdorin këtë ngjarje për përfitime politike.
“Le të jetë ky mësim për të gjithë se tragjeditë e tilla nuk duhet të përdoren për propagandë politike”, ka thënë Basha.
Në fund, ai ka përsëritur edhe një herë ngushëllimet për familjen e viktimës.
