Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka bërë të ditur emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, duke e vlerësuar këtë si një veprim të nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe për garantimin e mbështetjes institucionale që u takon sipas legjislacionit në fuqi.
Ajo ka sqaruar se ky vendim është pjesë e përkushtimit institucional për të siguruar funksionim të vazhdueshëm dhe efikas të mekanizmave përgjegjës për trajtimin dhe mbështetjen e viktimave të krimit.
Të lidhura
None found
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Gërvalla-Schwarz ka deklaruar: “Duke reflektuar angazhimin tonë për respektimin e të drejtave të viktimave dhe për garantimin e mbështetjes institucionale që u takon, kemi marrë veprimin e domosdoshëm për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Kemi parasysh rëndësinë e zbatimit të ligjeve në fushën e drejtësisë dhe nevojën për funksionim të pandërprerë dhe efikas të institucioneve që shërbejnë në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtave të tyre”.
Ajo ka theksuar gjithashtu se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë me profesionalizëm dhe në bashkërendim të plotë, në mënyrë që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në drejtësi dhe në mekanizmat mbështetës që parashihen me ligj.
Në vijim, ajo është shprehur: “Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të sigurojë transparencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional në ushtrimin e përgjegjësive të saj. Ky proces është pjesë e vizionit tonë për një sistem drejtësie të besueshëm, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, ku të drejtat e viktimave mbrohen dhe garantohen në praktikë, jo vetëm në letër”.
Duke folur për peshën e këtij vendimi, Gërvalla-Schwarz ka nënvizuar se themelimi dhe funksionalizimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit ndihmon në ruajtjen e standardeve kushtetuese dhe në zbatimin e plotë të legjislacionit.
Ajo ka përfunduar: “Ky veprim synon të ruajë standardet kushtetuese dhe të sigurojë zbatimin e mirëfilltë të së drejtës dhe ligjeve në fuqi. Përmes këtij komisioni, ne po forcojmë mekanizmat institucionalë që garantojnë trajtim të drejtë dhe mbështetje për viktimat e krimit, duke dëshmuar përkushtimin tonë për një sistem drejtësie që i shërben qytetarëve me përgjegjësi dhe integritet”.
Emërimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit po konsiderohet si një hap i rëndësishëm për avancimin e mbrojtjes së të drejtave të viktimave dhe për forcimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.
