Në Tiranë po mbahet sot seanca e gjyqit të themelit për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi.
Gjatë zhvillimeve në GJKKO, sipas raportimeve, avokati i Kryemadhit nuk u lejua fillimisht të hynte në sallë, pasi refuzoi kontrollin e çantës nga punonjësit e sigurisë.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka kundërshtuar akuzat duke deklaruar se ato nuk bazohen në prova dhe se çështja CEZ-DIA, sipas tij, nuk ka qëndrueshmëri ligjore.
Ai ka ngritur gjithashtu pretendime për shkelje procedurale dhe për mungesë të një analize financiare në dosje.
Avokati Cakrani: “Sa i takon asaj që ka ndodhur me CEZ/DIA-n, kjo çështje e ka zanafillën në vitin 2017 me një kallëzim të bërë nga Romeo Karaj.
Sipas tij, kallëzimi u depozitua menjëherë pasi përfundoi procesi ndaj Kastriot Ismailajt, kur ai u dënua me formë të prerë dhe mbaroi procesi në Arbitrazh.
Karaj ka qenë pjesë e këtyre proceseve. Fillimisht kallëzimi ishte për Berishën dhe gjithë qeverinë “Berisha”, e më pas u zhvendos te Meta.
Kundërshtarët politikë, tha ai, gjejnë persona si Karaj dhe Vojsava Ismailaj, të cilët për problemet e tyre familjare e mendore japin intervista jashtë Shqipërisë dhe në këtë rast ato janë marrë në konsideratë.
Për CEZ/DIA-n, ai u shpreh se bëhet fjalë për një koncesion shtetëror, ndërsa DIA është një kompani amerikane që operon në të gjithë botën dhe ka administratë Rebekën. Sipas tij, ajo nuk kishte nevojë për ndihmën e askujt, as të Berishës dhe as të Metës, pasi i mjaftonte Dritan Prifti.
Cakrani deklaroi se CEZ/DIA është përdorur për të goditur Metën dhe se prokuroria i ka kushtuar 15 faqe asaj që ai e quajti çështja e shekullit.
Ai tha se në dosje përmendet ambasadori Tepshi, por nuk ka asnjë të dhënë që të provojë se ai ka qenë njëkohësisht ambasador dhe këshilltar tregtar.
Sipas tij, nuk mund të referohen fakte që nuk gjenden në dosje apo në akte zyrtare. Ai shtoi se, edhe nëse Meta mund të ketë udhëtuar në një avion me Ismailajn, më 2 dhjetor ai është kthyer me urgjencë për shkak të përmbytjeve në Shkodër.
Më tej, ai u shpreh se në atë kohë ka ekzistuar vetëm një sportel “VIP”, nga ku kalonin politikanë apo biznesmenë, dhe se fakti që kanë hyrë në të njëjtën ditë nuk e kriminalizon Metën.
Cakrani deklaroi gjithashtu se gazetat opozitare, si edhe njerëz apo media të paguara, bënin shkrime kundër zotit Meta deri në Vjenë, por kjo, sipas tij, nuk mund të kthehet në akuzë.
Ai pyeti pse SPAK nuk ka kryer analizë financiare për Metën, për të parë çfarë ka ndodhur në jetën e tij. Sipas tij, akuza për CEZ/DIA nuk qëndron, pasi në vitin 2009 Meta nuk ka qenë funksionar, por deputet në opozitë.
Po ashtu, ai tha se deklaratat e Dritan Priftit janë marrë në vitin 2015, përpara se të regjistrohej procedimi. Sipas tij, ato janë dhënë para Prokurorisë së Tiranës dhe përdorimi i tyre si provë kërkon ekzaminim të veçantë. Ai shtoi se Prifti ka deklaruar gjëra që nuk kanë lidhje me Metën.
Në vijim, avokati tha se Prifti në atë periudhë ishte në konflikt të hapur me Metën për videon dhe nuk mund të jepte deklarime. Sipas tij, Prifti dhe Doshi synonin eliminimin politik të Metës.
Ai kundërshtoi edhe përdorimin e dëshmisë së Josef Hegel në Tribunalin e Vjenës, duke thënë se ajo nuk mund të shërbejë si provë për një proces tjetër.
Në fund, Cakrani theksoi se procedimi i Arbitrazhit ka karakter konfidencial dhe se përdorimi i tij pa lejen e Gjykatës së Arbitrazhit përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
HETIMET
Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, në lidhje me dosjen CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA. Akuzat ndaj tij janë për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.
Ai ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2024, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Në dosjen “Meta” përfshihen edhe hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Të pandehurit përballen me disa akuza penale, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
