Pas një mbledhjeje të zhvilluar me kryetarët e nëndegëve, Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan ka dalë me kërkesë për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së. Sipas saj, ky veprim përbën standard të përgjegjësisë politike dhe një akt reflektimi pas mesazhit që qytetarët dhanë me votën e tyre.
Në njoftimin e publikuar, dega fillimisht ka falënderuar strukturat lokale, aktivistët dhe anëtarësinë për angazhimin e treguar gjatë procesit zgjedhor. Mirënjohje u është shprehur edhe qytetarëve të Komunës së Lipjanit për pjesëmarrjen dhe kontributin në një proces zgjedhor demokratik, të qetë dhe dinjitoz.
Të lidhura
None found
Në postim thuhet se LDK-ja në Lipjan ka shënuar rritje, duke kaluar nga 6,338 vota, apo 19.40 për qind, në zgjedhjet e dhjetorit, në 6,455 vota, apo 23.60 për qind, në zgjedhjet e qershorit 2026.
Pavarësisht kësaj, Kryesia ka vlerësuar se ky rezultat mbetet ende larg pritshmërive dhe angazhimit të strukturave lokale. Ajo ka theksuar se rezultati në nivel vendi nuk mund t’u faturohet vetëm strukturave lokale, por pasqyron edhe gjendjen, organizimin, funksionimin dhe kapacitetin politik të partisë në nivel qendror.
