Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dërguar në gjykatë aktakuzë ndaj J.P. dhe një personi juridik, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, sipas nenit 415, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas organit të akuzës, më 19 Janar 2024, J.P., në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë ‘’M… P.. ‘’ SH.P.K., dyshohet se ka dorëzuar dokumentacion të falsifikuar në kuadër të ofertës për tenderin “Furnizim me material shpenzues medicinal nga LE (Lista Esenciale)”, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.
Të lidhura
None found
Në këtë procedurë, grupi i operatorëve ekonomikë kishte konkurruar për Lotin 1 me ofertë në vlerë prej 344.955.77 eurosh, ndërsa për Lotin 3 kishte paraqitur ofertë prej 169.012.36 eurosh.
Dokumentet e ofertës përmbanin certifikatën ISO 13485:20216, me numër 47014, të lëshuar nga autoriteti certifikues ‘’NQA’’ për prodhuesin kinez ‘’Forlong Medical Co., Ltd’’. Kjo certifikatë ishte përdorur si dëshmi për përmbushjen e kërkesës nr. 2 të dosjes së tenderit, e cila lidhet me kapacitetet teknike dhe profesionale.
Prokuroria pretendon se certifikata kishte skaduar dhe ishte anuluar në tetor të vitit 2022. Gjithashtu, dyshohet se në dokumentin e dorëzuar data e vlefshmërisë ishte ndryshuar nga 18.10.2022 në 18.10.2024.
Sipas aktakuzës, J.P. ka vepruar me dashje duke shkelur rregullat e prokurimit publik për dokumentet që dëshmojnë plotësimin e kritereve të tenderit. Përmes këtij veprimi, ai dyshohet se ka synuar ta çojë në lajthitje autoritetin kontraktues, të ndikojë në vlerësimin e ofertës dhe në vendimmarrjen për dhënien e kontratës, në interes të personit juridik ‘’M…..P….’’ SH.P.K.
Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës kompetente që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën për të cilën akuzohen. Po ashtu, është kërkuar edhe ndalimi i pjesëmarrjes së tyre në procedurat për dhënien e kontratave të prokurimit publik.



