Me shpalljen e thirrjes publike për masën e vetëpunësimit, ka filluar zbatimi i Planit Operativ për Punësim 2026, të cilin VLEN e cilëson si një prej aseteve më të rëndësishme të qeverisjes së saj në sektorin e ekonomisë dhe punësimit.
Sipas VLEN-it, të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare mund të marrin mbështetje deri në 10 mijë euro për të nisur biznesin e tyre, ndërsa për personat mbi 29 vjeç është paraparë përkrahje deri në 7 mijë euro. Ndërkaq, për qytetarët që zgjedhin të themelojnë një kompani bashkërisht, shuma e mbështetjes mund të shkojë deri në 20 mijë euro.
Të lidhura
None found
Nga VLEN theksojnë se mirëqenia e qytetarëve mbetet prioriteti kryesor, ndërsa punësimi konsiderohet pjesë thelbësore e saj, duke u ofruar të rinjve mundësi për të krijuar, për t’u zhvilluar dhe për ta ndërtuar të ardhmen në vendlindje.
Plani Operativ 2026 kap vlerën e rreth 40 milionë eurove dhe parashikon mbështetje për më shumë se 10 mijë qytetarë, përmes masave që përfshijnë vetëpunësimin, krijimin e vendeve të reja të punës, trajnimet, praktikën profesionale, si dhe përkrahjen për të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera që kanë nevojë për mbështetje.
Sipas VLEN-it, këto politika synojnë uljen e papunësisë dhe rritjen e mirëqenies, me shtetin në mbështetje të qytetarit, duke krijuar mundësi për punë dhe duke ndihmuar ata që duan ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
Aplikimi për masën e vetëpunësimit mbetet i hapur deri më 3 korrik. VLEN u bën thirrje të rinjve dhe të rejave që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të paraqiten në Qendrat e punësimit në vend, thuhet nga VLEN./Telegrafi/
