Në një reagim për “Financial Times”, kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër korrupsionit dhe kërkesat për transparencë lidhur me resortin luksoz të lidhur me dhëndrin e Donald Trump.
Pas disa javësh demonstratash të shkaktuara nga ky projekt, Rama ka hedhur poshtë akuzat që e përshkruajnë si “Kumbari” i Shqipërisë. Protestat, të cilat janë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, shpërthyen pas zemërimit publik për planin 4 miliardë dollarësh të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në një ishull dhe pranë një rezervati natyror të njohur për flamingot. Sipas protestuesve, ky është një shembull i korrupsionit sistemik që u hap rrugë investitorëve ndërkombëtarë të ndërtojnë në zona të mbrojtura, ndaj ata kanë kërkuar dorëheqjen dhe ndjekjen penale të Ramës.
Të lidhura
None found
“Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them shkoni në djall. Aq thjeshtë,” tha ai.
“Nuk më takon mua të vërtetoj se nuk jam Kumbari, i takon atyre të vërtetojnë se jam Kumbari”.
Rama deklaroi se investimet e Kushner kanë qenë të rregullta dhe se ato nuk lidhen me hetimin që po zhvillohet ndaj një ish-pronari të tokës.
Ndërkohë, prokurorët shqiptarë kanë lëshuar urdhër-arreste për më shumë se një duzinë biznesmenësh nën dyshimet për trafik droge dhe pastrim parash, mes tyre edhe një person që më herët kishte pasur në pronësi tokë në zonën ku pritet të zhvillohet projekti i Kushner dhe Ivanka Trump. Një zëdhënës i Kushner dhe partnerëve të tij të tjerë në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Prokurorët shqiptarë kundër korrupsionit kanë lëshuar urdhër-arreste për 20 biznesmenë, për të cilët thanë se ishin të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Dyshohet se miliarda euro janë kanalizuar në projekte të mëdha ndërtimi në vijën bregdetare të Adriatikut dhe në kryeqytetin shqiptar.
Mes emrave të përfshirë është edhe Artur Shehu, një shtetas me dy nënshtetësi SHBA-Shqipëri që jeton në Miami. Në vitin 2025, Shehu i shiti tokë pranë rezervatit natyror ku folezojnë flamingot kompanisë “Albania Land Development”, e lidhur me projektin Kushner. Kjo marrëveshje u vu nën shqyrtim nga prokurorët kundër korrupsionit, të cilët ngrinë 128 milionë euro pagesa deri në përfundim të hetimit. Edhe Shehu nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Nga zyra e tij me pamje nga bulevardi ku për më shumë se tre javë dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar çdo natë, Rama i tha FT se ishte e papranueshme të thuhej se ekonomia shqiptare mbështetet te pastrimi i parave.
“Të thuash se ekonomia shqiptare është bazuar në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme,” tha Rama për FT në zyrën e tij me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar çdo natë për më shumë se tre javë.
“Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem aq i madh,” shtoi ai.
“Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Ka. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në pjesë të madhe pastrim parash? Jo”.
Sipas Ramës, qeveria e tij u ka dhënë prokurorëve mundësinë të veprojnë më fort ndaj këtyre çështjeve, çka sipas tij ka rritur edhe perceptimin se Shqipëria është e mbushur me korrupsion dhe krim të organizuar.
“Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe është shumë më pak e korruptuar sot sesa ishte”.
Kryeministri përsëriti gjithashtu pretendimin se protestat janë ushqyer nga kundërshtarë të presidentit amerikan, mes tyre edhe Irani.
“Ka shumë interes për ta vrarë këtë projekt… për shkak të Trump,” tha ai.
“Nëse nuk do të ishte Jared Kushner… askujt nuk do t’i bëhej vonë për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është e gjithë urrejtja kundër Trump që krijon gjithë këtë shqyrtim”.
Rama u shpreh i bindur se planet për zhvillimin bregdetar do të vazhdojnë pavarësisht protestave.
“Pjesa e rëndësishme është se investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash,” tha Rama.
“Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë”.
