Komisioni Rregullator (KRr) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve miratoi dje disa shtesa në vendimin nr. 3, datë 6 nëntor 2020, “Për miratimin e rregullores për mënyrën e funksionimit dhe zhvillimit të seancave të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS)”, të ndryshuar.
Këto ndryshime janë ndërmarrë për të forcuar standardet e transparencës, integritetit dhe paanshmërisë në procesin e shqyrtimit dhe vendimmarrjes së Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Të lidhura
None found
Vendimi përcakton se anëtarët e KAS kanë detyrimin t’i ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur, objektive dhe të paanshme, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe administrimit të drejtë të proceseve zgjedhore.
Në të njëjtën kohë, janë shtuar edhe rregulla të reja që kanë të bëjnë me deklarimin dhe administrimin e konfliktit të interesit gjatë shqyrtimit të çështjeve dhe në marrjen e vendimeve, me qëllim garantimin e paanshmërisë së procesit vendimmarrës.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm parashikon që vendimet e KAS të publikohen në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, si masë për rritjen e transparencës dhe zgjerimin e aksesit të publikut ndaj vendimmarrjes së institucionit.
