Për herë të parë në botë, studiuesit kanë ndërtuar “orë bërthamore”, një zhvillim i rëndësishëm drejt krijimit të një instrumenti potencialisht më të qëndrueshëm dhe më të saktë për matjen e kohës, që mund të shërbejë edhe për të zbuluar mistere të fshehta të universit.
Në një studim të publikuar sot në revistën “Nature”, bëhet e ditur se dy grupe të pavarura kërkimore, një në Evropë dhe tjetri në Kinë, kanë arritur të krijojnë pajisje funksionale që e masin kohën përmes ndryshimeve të energjisë në bërthamën e atomit, në vend të elektroneve, siç ndodh te orët atomike aktuale.
Të lidhura
None found
Megjithëse orët atomike, që shërbejnë si standardi global i kohës, njihen për saktësi shumë të lartë, ato mund të ndikohen nga lëkundjet ose ndryshimet e temperaturës. Ndërkaq, orët bërthamore, të ndërtuara mbi izotopin e rrallë torium-229 të vendosur në kristale, pritet të ofrojnë më shumë stabilitet dhe të jenë më të lehta për t’u transportuar, pasi bërthama ndodhet e mbrojtur thellë në atom.
Kjo ide ishte hedhur fillimisht më shumë se 20 vjet më parë, por u bë e zbatueshme vetëm pas arritjeve të rëndësishme në 2024, të cilat mundësuan kontrollin e saktë me lazer të bërthamës së toriumit.
Në këtë punë të fundit, ekipet nga “TU Wien” në Austri dhe Universiteti “Tsinghua” në Pekin përdorën lazerë ultravjollcë të specializuar, si edhe sisteme reagimi, për t’u fiksuar te “shënuesi” bërthamor, duke bërë të mundur funksionimin e qëndrueshëm të këtyre orëve.
Modelet e para të zhvilluara prej tyre humbasin ose fitojnë rreth një sekondë në disa milionë vjet, një rezultat mbresëlënës për një përpjekje fillestare, edhe pse ende mbeten pas orëve atomike më të avancuara. Versionet e bazuara në kristal kërkojnë më pak ftohje ekstreme, çka mund të hapë rrugë për përdorim në navigim, komunikim dhe pajisje kompakte.
Përveç përmirësimit të matjes së kohës, këto orë mund të shërbejnë edhe si një instrument i ri për fizikën themelore, përfshirë kërkimin e efekteve të mundshme të lëndës së errët ose të ndryshimeve shumë të vogla në konstantet e natyrës.
